
Ushtarët ukranas që po luftojnë në rajonin Kursk të Rusisë kanë përshkruar skena “si një film horror” ndërsa tërhiqeshin nga vijat e frontit.
BBC ka marrë dëshmi të shumta nga trupat ukrainase, të cilët tregojnë për një tërheqje “katastrofike” përballë zjarrit, kolona pajisjesh ushtarake të shkatërruara dhe sulme të vazhdueshme nga tufa dronësh rusë.
Ushtarët, të cilët folën përmes rrjeteve sociale, u dhanë pseudonime për të mbrojtur identitetin e tyre. Disa prej tyre përshkruan një “kolaps” pasi Ukraina humbi Sudzhën, qytetin më të madh që mbante nën kontroll.
Ja si pesë ushtarë ukrainas e përshkruan atë që ndodhi.
Volodymyr: ‘Dronë gjatë gjithë kohës’
Më 9 mars, “Volodymyr” i dërgoi një mesazh në Telegram BBC-së duke thënë se ishte ende në Sudzha, ku kishte “panik dhe një kolaps të frontit”.
Trupat ukrainase “po përpiqen të largohen – kolona ushtarësh dhe pajisjesh. Disa prej tyre digjen nga dronët rusë në rrugë. Është e pamundur të largohesh gjatë ditës.”
Lëvizja e ushtarëve, logjistika dhe pajisjet bëheshin në një rrugë kryesore midis Sudzhës dhe rajonit Sumy të Ukrainës.
Volodymyr tha se deri një muaj më parë, udhëtimi në atë rrugë ishte relativisht i sigurt. Por më 9 mars, ajo ishte “plotësisht nën kontrollin e zjarrit të armikut – dronë gjatë gjithë kohës. Brenda një minute mund të shohësh dy deri në tre dronë. Kjo është shumë,” tha ai.
“Ne kemi gjithë logjistikën tonë në një autostradë Sudzha-Sumy. Dhe të gjithë e dinin që [rusët] do të përpiqeshin ta prisnin atë. Por përsëri, kjo e kapi komandën tonë në befasi.”
Në momentin e shkrimit, pak para se Rusia të rimerrte Sudzhën, Volodymyr tha se forcat ukrainase po sulmoheshin nga tri anë.
Maksym: Mbetje mjetesh të shkatërruara mbushin rrugët
Më 11 mars, forcat ukrainase po luftonin për të parandaluar shkëputjen e rrugës kryesore, sipas mesazheve në Telegram nga “Maksym”.
“Disa ditë më parë, morëm urdhër për t’u tërhequr në mënyrë të organizuar nga vijat e mbrojtjes,” tha ai, duke shtuar se Rusia kishte grumbulluar një forcë të konsiderueshme për të rimarrë qytetin, “përfshirë një numër të madh ushtarësh koreanoveriorë”.
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Rusia kishte mbledhur deri në 70,000 trupa për të rimarrë Kurskun – duke përfshirë rreth 12,000 koreanoveriorë.
Rusia gjithashtu kishte dërguar njësitë e saj më të mira të dronëve në front dhe po përdorte variante kamikaze për të “marrë nën kontroll logjistikën kryesore me zjarr”.
Këto përfshinin dronë të lidhur me operatorët përmes kabllove me fibra optike – të cilët janë të pamundur për t’u bllokuar me masa kundërelektronike.
Maksym tha se si rezultat, “armiku arriti të shkatërronte dhjetëra mjete ushtarake”, dhe se mbetjet e tyre kishin “shkaktuar bllokime në rrugët e furnizimit”.
Anton: Katastrofa e tërheqjes
Situata më 11 mars u përshkrua si “katastrofike” nga “Anton”.
Ushtari i tretë që foli për BBC-në shërbente në selinë e frontit të Kurskut.
Edhe ai theksoi dëmin e madh të shkaktuar nga dronët FPV rusë. “Dikur kishim epërsi në dronë, tani nuk e kemi më,” tha ai. Ai shtoi se Rusia kishte avantazh me sulme ajrore më të sakta dhe një numër më të madh trupash.
Anton tha se rrugët e furnizimit ishin ndërprerë. “Logjistika nuk funksionon më – dërgesat e organizuara të armëve, municioneve, ushqimit dhe ujit nuk janë më të mundura.”
Ai arriti të largohej nga Sudzha në këmbë, gjatë natës. “Pothuajse vdiqëm disa herë. Dronët janë gjithmonë në qiell.”
Ushtari parashikoi se Ukraina do ta humbiste të gjithë praninë e saj në Kursk, por shtoi se “nga pikëpamja ushtarake, drejtimi i Kurskut është shteruar. Nuk ka më kuptim ta mbajmë atë.”
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se ofensiva e Ukrainës në Kursk përfshinte rreth 12,000 trupa. Ata ishin disa nga ushtarët më të trajnuar të Ukrainës, të pajisur me armë të furnizuara nga Perëndimi, duke përfshirë tanke dhe automjete të blinduara.
Blogerët rusë publikuan video që tregonin disa nga këto pajisje duke u shkatërruar ose kapur. Më 13 mars, Rusia deklaroi se situata në Kursk ishte “plotësisht nën kontrollin tonë” dhe se Ukraina kishte “braktisur” një pjesë të madhe të pajisjeve të saj.
Dmytro: Centimetra larg vdekjes
Në postime në rrjetet sociale më 11-12 mars, ushtari i katërt, “Dmytro”, e krahasoi tërheqjen nga fronti me “një skenë nga një film horror”.
“Rrugët janë të mbushura me qindra makina të shkatërruara, automjete të blinduara dhe ATV (mjete të gjithanshme). Ka shumë të plagosur dhe të vdekur.”
Ai tha se automjetet shpesh gjuheshin nga disa dronë njëkohësisht.
Dmytro përshkroi arratisjen e tij kur makina me të cilën po udhëtonte ngeci në baltë. Ai dhe shokët e tij po përpiqeshin ta shtynin makinën kur u sulmuan nga një tjetër dron FPV.
Droni e humbi objektivin, por plagosi një nga shokët e tij. Ata u detyruan të fshiheshin në një pyll për dy orë përpara se të shpëtoheshin.
Dmytro tha se shumë ushtarë ukrainas u tërhoqën në këmbë, me “djem që ecnin 15 km deri në 20 km”. Situata, tha ai, ishte kthyer nga “e vështirë dhe kritike në katastrofike”.
Në një mesazh më 14 mars, Dmytro shtoi: “Gjithçka ka marrë fund në rajonin e Kurskut… operacioni nuk ishte i suksesshëm.”
Ai vlerësoi se mijëra ushtarë ukrainas kishin humbur jetën që nga kalimi i parë në Rusi në gusht.
Artem: ‘Luftuam si luanë’
Ushtari i pestë kishte një qasje më pak pesimiste për situatën. Më 13 mars, “Artem” dërgoi një mesazh në Telegram nga një spital ushtarak, ku po trajtohej për plagë nga copëzat e një shpërthimi të shkaktuar nga një sulm me dron.
Artem tha se kishte luftuar më në perëndim – pranë fshatit Loknya, ku forcat ukrainase po ofronin një rezistencë të fortë dhe “luftonin si luanë”.
Ai besonte se operacioni kishte arritur disa suksese.
“Është e rëndësishme që deri tani Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë krijuar këtë zonë tampon, falë së cilës rusët nuk mund të hyjnë në Sumy,” tha ai.
Top Channel