
Aktualiteti në Shqipëri e sfidat e reja politike ju përkasin të gjithëve në mendimin e priftit katolik Dom Gjergj Meta.
Ndaj, sheh të nevojshme nxitjen e një dialogu të thellë ndërmjet institucioneve fetare, shtetit dhe shoqërisë. Edhe pse ndodh të përballen me kritika.
“Një person, i njohur, në tiranë më tha Dom merru me punët e zotit. Por Kisha katolike nuk mund të mbyllet vetëm brenda mureve të kishës. Nuk do t’a bëjmë sepse dalim kundër natyrës së mesazhit të Krishtit. Ne, do të jemi të pranishëm, në jetën shoqërore, në jetën politike, në jetën e të varfërve të vendit tonë, në jetën e burrave dhe grave, studentëve. Do jemi me propozimin to. Pastaj neve nuk detyrojmë askënd!”, shprehet Dom Gjergj Meta, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.
Predikimi për gjendjen politike nuk është i rrallë, tregon prifti dom meta. Ai na zbulon se ndan fragmente nga bibla ku ka mesazhe aktuale reflektimi për pushtetin, për të drejtën e të gabuarën, duke dashur ndërgjegjësimin e besimtarëve.
“Fjala e zotit është e gjallë dhe sot e kësaj dite e pse është shkruar para shumë vitesh. Ajo fjalë duhet të aktualizohet, sepse duhet të prek jetën konkrete të njerëzve, problemet që kanë”, tha ai.
Zgjedhja e mënyrës se si religjionet qasen drejt politikës dhe fenomeneve shoqërore është e shumëllojshme.
“Ka raste që mban qëndrime publike, ka raste që qëndrimi mbahet përmes lutjes. Kemi një rendje të Europës drejt riarmatimit, kjo është e pa tolerueshme. Sa para harxhohen aty në vend të harxhohen për proceset e paqes”, shtoi Dom Gjergj Meta.
Ndonëse jo gjithmonë qëndrimi pranohet, presidenti i konferencës ipeshkvore, ndjen efektin edhe pse shpesh jo të menjëhershëm.
“Vepron ndoshta me shpërthim të vonuar nganjëherë, e lexojnë, dëgjojnë diçka përthithin brenda njeriut, futet te ajo pjesë që e quajmë e pavetëdijshme dhe në momentin e duhur del dhe e orienton njeriun”, tha ai më tej.
Por ai çmon me rëndësi mbi të gjitha nxitjen e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën aktive të vendit.
“Edhe grupet tona rinore janë ndonjëherë më shumë të fokusuara te mësimet që kanë të bëjnë me besimin por mungojnë do thoja shkolla formimi me çështje shoqërore. Ti edukojmë me ndjenjën e përgjegjësisë, me aftësinë për të qenë kritik”, theksoi ai.
Por ka besimin për përmirësimin e shoqërisë dhe një lutje për Shqipërinë.
“Të respektohen ligjet e normat dhe populli të jetë i interesuar për të vendosur ai vetë!”, përfundoi President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.
Top Channel