
Doli i pari në Primaret e PD-së për qarkun e Tiranës, tërhiqet nga gara Hysen Kadiu.
I papërfshirë në listën e mbyllur ish-kryedemokrati i Kavajës nuk ka pranuar të kandidojë në listën e hapur. Ai ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me vendimin e tij:
Hysen Kadiu: Së pari, dua të falënderoj familjen time, miqtë, shoqërinë, të njohur e të panjohur në Kavajën time, që besuan tek unë dhe më votuan në primaret e PD-së, duke më dhënë besimin për të qenë në listën kryesore të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës. Pas disa bisedave me kryetarin e PD-së, zotin Sali Berisha, vendosa të mos jem pjesë e listës së hapur për qarkun e Tiranës.
Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë.
I gjithë rrugëtimi im në PD, që nga dita e parë si adoleshent e deri në fitoren e pak ditëve më parë, është i lidhur ngushtë me Kavajën dhe qytetarët e saj, që meritojnë një përfaqësim dinjitoz. Kavaja nuk mund të konsiderohet vazhdimisht si hambari i votave për PD, ndërsa përfaqësimi i saj në listat e deputetëve të jetë i padenjë.
Top Channel