
Viti 2025 ka nisur me bilance pozitive për bankat teksa raporti i kredive me probleme ka arritur në nivelet më të ulëta historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se ky tregues arriti në 4.12% nga 4.88% në janar 2024.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi thotë: “Duhet parë si një tendencë pozitive duhet të kuptojmë që kreditimi i ekonomisë reale luan rol të rëndësishëm në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në të njëjtën kohë zgjerimi i kreditimit në tërësi dhe mbajtja e nivelit të ulët të kredive të këqija lidhet dhe me destinacionin e kredive. Burime të BSH, një pjesë e rëndësishme e kredive e destinuar në blerjen e pronave. Duhet parë si një kërcënim potencial për periudhat e ardhshme.”
Aftësia paguese e qytetarëve, por dhe rritja ekonomike nuk renditet si arsye kryesore ndikuese në përmirësimin e këtij raporti sipas ekspertëve.
“Rritja e pagave në sektorin publik dhe presioni për privatin s’ka sjellë këtë impakt e shoh të lidhur me burimet e financimit të pasurive të patundshme dhe me kategori huamarrësish që duhen parë me kujdes. Për sa kohë që s’kemi kredi për bujqësi e agropërpunim vështirë të arrijmë konkluzion. S’është konsumi, s’është përmirësimi i nivelit jetesës apo pagat motiv kryesor.”
Por si krijohen këto kredi të këqija?
“Këto kredi krijohen në nivel makro kur ekonomia nuk performon siç duhet, probleme të konsumit investimeve etj. Nga ana tjetër kur banka nuk respekton kushtet ose operon në kushte korruptive, paratë e taksapaguesve i çon në duar të pasigurta që s’kanë proces arkëtimi”, shprehet Preçi.
Ndonëse bankat janë treguar më të kufizuara në dhënien e kredive, ekspertët ngrenë shqetësimin e informalitetit.
“Shtrëngimi i huadhënies, rritja e nr. të dokumenteve zgjatja në kohë inkurajon individët në tregun informal të kredisë që është kërcënim për sektorin bankar në vend.”
Vlera e kredive të klasifikuara me probleme në fillimvit arriti në 346 milionë euro. Ndërsa totali i kredisë së dhënë për ekonominë në fund të janarit ishte 8.4 miliardë euro.
Top Channel