
Engert Pëllumbi, gjyqtar i Apelit të Posaçëm në Tiranë, la në fuqi sekuestron preventive ndaj një vile në Qerret, për të cilën Valbona Xoxa, nëna e Ajola Xoxës, kërkoi që të hiqet nga hetimet e SPAK.
Por kjo sekuestro e përkohshme do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi, pasi Apeli miratoi vendimin e Erjon Banit, i cili, si gjyqtar paraprak, kishte shpallur në dhjetor tetë masa personale dhe kishte aprovuar bllokimin e pronës së paluajtshme dhe të disa llogarive bankare.
SPAK, në hetimet që po zhvillohen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenëve, dyshon se vila është dhënë si përfitim i parregullt nga biznesmenët, që, sipas Prokurorisë së Posaçme, përfaqësojnë interesa në bashkinë e kryeqytetit, si lejet e ndërtimit apo fondet publike.
Ky konstatim është kundërshtuar nga Valbona Xoxa, vjehrra e kryebashkiakut Erjon Veliaj, i cili, ndërkohë, ka mohuar nga burgu pronësinë e kësaj pasurie.
Ndërsa kryetari i bashkisë së kryeqytetit do të përballet sërish me SPAK këtë të martë, sepse insiston në zhbërjen e arrestit në burg, gjatë ditës para të njëjtës gjykatë ishte edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.
Me një kalendar që duhet ta zbatojë për t’u paraqitur, Xoxa kaloi pragun e godinës së qelqtë me kërkesën për heqjen e sekuestros preventive të llogarive bankare në shumën 869 mijë euro dhe për dy vlera të tjera të gjetura në një kasafortë.
Kjo seancë u shty për të mërkurën, pasi SPAK në procesin me dyer të mbyllura ka paraqitur gjetje të reja.
Top Channel