Tensionohet situata në Ukrainë, Rusia sulm me raketa e dronë, Kievi i përgjigjet me avionët e Macron, Trump paralajmëron sanksione për Moskën

07/03/2025 18:25

Dita e sotme ka qenë plot tensione për luftën e vazhdueshme mes Rusisë dhe Ukrainës, nga sulmi rus me raketa dhe dronë deri tek paralajmërimi që presidenti amerikan, Donald Trump bëri për Moskën.

Të paktën 10 persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në sulmet ruse me raketa dhe dron në Ukrainë.

German Galushchenko, ministri i Energjisë, tha se Moska po përpiqet të dëmtojë ukrainasit duke goditu objektet e prodhimit të energjisë dhe gazit.

Ai tha se “regjimi i Vladimir Putin ka një qëllim që të na lërë pa energji elektrike dhe nxehtësi. Synon të shkaktojë dëmin më të madh për qytetarët e zakonshëm”.

Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, tha këtë mëngjes se kishte ndaluar prodhimin e gazit në objektet e saj në rajonin qendror të Poltava, pasi ato pësuan dëme të konsiderueshme nga sulmet ruse.

Rusia ka vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur rrjetin elektrik të Ukrainës që nga nisja e luftës tre vite më parë.

Kapaciteti i prodhimit të energjisë elektrike është varfëruar. Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë për “armatosjen e dimrit”.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se forcat e saj kryen sulme me armë precize me rreze të gjatë ajrore, detare dhe tokësore kundër asaj që e quajti infrastrukturën e gazit dhe energjisë.

Forcat ajrore të Ukrainës thonë se sulmi gjatë natës nga Rusia kishte në shënjestër kryesisht industrinë ukrainase të nxjerrjes së gazit.

Sulmi përfshiu 67 raketa (përfshirë 43 raketa lundruese, tre raketa balistike Kalibr dhe tetë raketa Kh-59/69), si dhe 194 dronë, sipas një deklarate të forcave ajrore.

Nga këto, ata pretendojnë se janë rrëzuar 33 raketa lundruese, një raketë Kh-59/69 dhe 100 dronë.

Avionët luftarakë F-16 dhe Mirage 2000 u përdorën për të zmbrapsur sulmin. Kjo ishte hera e parë që avionët francezë Mirage u hodhën në luftë pasi mbërritën në Ukrainë një muaj më parë, sipas forcave ajrore ukrainase.

Ukraina përdori avionët F-16 të furnizuar nga Evropa dhe Mirage-2000 të prodhimit francez për të ndihmuar në kundërshtimin e sulmit të madh ajror rus gjatë natës ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

Të dy avionët mund të përdorin një kombinim të raketave ajër-ajër dhe armët e integruara për të rrëzuar kërcënimet ajrore. Objektivat mund të zbulohen nga radari i integruar në avion. Nuk ka ende informacion të saktë se çfarë u shkatërrua nga avionët, por F-16-tat – të pilotuar nga ukrainas – kanë qenë tashmë të suksesshëm në rrëzimin e raketave lundruese dhe dronëve, duke plotësuar mbrojtjen ekzistuese ajrore si sistemet me raketa tokë-ajër.

Avionët francezë mbërritën në Ukrainë muajin e kaluar dhe kjo është hera e parë që janë përdorur për të zmbrapsur një sulm ajror në këtë mënyrë. F-16-tat janë në Ukrainë që nga gushti i kaluar, duke marrë pjesë kryesisht në misione mbrojtëse ajrore dhe operacione ajër-tokë.

Franca i premtoi këta avionë në qershorin e kaluar, kur Emmanuel Macron njoftoi se ata do të dërgoheshin në Ukrainë dhe se pilotët ukrainas do të trajnoheshin gjatë verës.

Avionët mbërritën në shkurt pasi pilotët përfunduan trajnimet e tyre në dhjetor.

Pas sulmit rus presidenti amerikan, Donald Trump bëri një një deklaratë të forëtë në rrjetin e tij social, Truth Social ku tha se po shqyrton seriozisht sanksione të reja për Rusinë.

“Duke u bazuar në faktin se Rusia po “godet” Ukrainën në fushën e betejës tani, unë po shqyrtoj me forcë sanksione të mëdha bankare, sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë deri sa të arrihet një armëpushim dhe një MARRËVESHJE PËRFUNDIMTARE PËR PAQEN. Për Rusinë dhe Ukrainën, uluni tani në tavolinën e bisedimeve, para se të jetë vonë. Faleminderit!!!”, shkruhet në postimin e Trump.

Kjo deklaratë vjen menjëherë pasi SHBA dhe Ukraina njoftuan se do takoheshin në Arabi Saudite për të nënshkruar marrëveshjen e mineraleve të rralla si dhe për të diskutuar rreth arritjes së një marrëveshje armëpushimi apo paqeje përfundimtare.

Sakaq, ditën e djeshme kryeministri polak, Donald Tusk pas samitit të djeshëm të mbrojtjes në Bruksel me shumë liderë të tjerë europianë dha një deklaratë të miratuar nga 27 vende anëtare.

“Evropa duhet ta përballojë këtë sfidë, këtë garë armatimesh. Dhe duhet ta fitojë atë. Evropa si një e tërë është vërtet e aftë të fitojë çdo përballje ushtarake, financiare, ekonomike me Rusinë, ne jemi thjesht më të fortë” tha Tusk pas samitit.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta