“Luftën tregtare e nisën amerikanët”, kryeministri kanadez përlotet para mediave. WSJ: Në telefonatën me Trump nuk munguan as sharjet

07/03/2025 13:44

Kryeministri kanadez Justin Trudeau u përlot ndërsa bëri një premtim për të mbështetur popullin kanadez, mes një lufte tregtare në vazhdim me Donald Trump.

Trudeau është në javët e tij të fundit si udhëheqës i vendit pasi u detyrua të japë dorëheqjen nga partia e tij për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme mbi mënyrën se si duhej trajtuar presidenti amerikan dhe tarifat e tij mbi importet kanadeze.

Duke folur për mediat të enjten, Trudeau u emocionua dukshëm ndërsa tha se kishte punuar fort për vendin.

“Në nivel personal, u sigurova që çdo ditë në këtë zyrë t’i vija kanadezët në radhë të parë, t’i mbështesja ata, dhe për këtë jam këtu sot për t’ju thënë të gjithëve: ju mbështesim, edhe në ditët e fundit të kësaj qeverie, nuk do t’i zhgënjejmë kanadezët as sot dhe as në të ardhmen,” tha ai me lot në sy.

“Ne duam të vazhdojmë të jemi të fortë dhe të vendosur në përgjigjen tonë dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, sepse uniteti që kanadezët po ndiejnë tani është në fakt gjëja më e rëndësishme për t’u përballur me një partner tregtar shumë më të madh se ne,” tha ai.

“Ne ndodhemi në një moment ku Kanadaja ka një pozicion shumë, shumë të fortë negociues, sepse kanadezët janë aq të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vendin tonë, për të mbrojtur qytetarët tanë dhe për të qenë shumë, shumë të qartë se kjo është një luftë tregtare absolutisht e pajustifikuar dhe e padrejtë e nisur nga amerikanët – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë kundër saj,” shtoi ai.

Marrëdhëniet mes aleatëve të Amerikës së Veriut kanë vazhduar të përkeqësohen, teksa gazeta The Wall Street Journal që raportoi se Trudeau dhe Trump kishin pasur një telefonatë të tensionuar të mërkurën, ku ishin përdorur edhe sharje. Megjithatë, të enjten, Trump tha se po jepte një pezullim njëmujor për disa nga tarifat e planifikuara prej 25% mbi disa mallra nga Kanadaja dhe Meksika.

Presidenti amerikan ka pretenduar se Kanadaja është mes disa vendeve që po e “shfrytëzojnë” Shtetet e Bashkuara dhe ka minimizuar ndikimin që rritja e taksave mbi importet do të kishte mbi konsumatorët amerikanë.

“Tani, këto janë vende dhe kompani të huaja që na kanë shfrytëzuar, dhe asnjë president nuk bëri asgjë për këtë, derisa erdha unë dhe bëra shumë për këtë,” tha ai. “Shumë prej tyre janë vende dhe kompani globaliste që nuk do të ecin më aq mirë, sepse ne po marrim mbrapsht gjërat që na janë marrë vite më parë. Si vend, jemi trajtuar shumë padrejtësisht.”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta