
Ky i fundit ishte numërimi më i gjatë i votave në Kosovë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Më në fund, procesi u mbyll duke çimentuar në vend të parë lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti me 42.28% të votave, që do të thotë 48 mandate. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96%, duke siguruar 24 mandate.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 18.43% dhe siguroi 20 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma fituan vetëm 7.08%, duke siguruar 8 mandate. 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për pakicat, 10 nga to për serbët e Kosovës.
KQZ-së i duhet të presë praktikisht të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Por edhe pse tashmë fitorja e saj u kristalizua, VV sërish nuk e bën dot qeverinë e vetme. Ehat Miftaraj, analist politik, i tha DË-së se “edhe përkundër faktit që LVV nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë, duke marrë për bazë specifikat që ka sistemi kushtetues në Kosovë, mbeten disa skenarë, që ndikohen si nga faktorë të brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm.”
“Skenari i parë është një koalicion mes LVV-së, partive të komunitetit jo shumicë (përjashto Listën Serbe) dhe një partie politike shqiptare. Që ky skenar të realizohet në praktikë, do të kërkonte qasje afruese nga LVV dhe një gjuhë të moderuar për të lënë hapësirë për bashkëpunim, e cila nuk ka ndodhur deri më tani pasi Kurti ka përdorur ndaj liderëve opozitarë në shumë raste një gjuhë urrejtjeje, duke i quajtur deri dhe hajvanë. Një skenar tjetër është formimi i një qeverie pakice nga ana e partive politike opozitare, të paktën me komunitetet jo shumicë.
Ky skenar shihet si i mundshëm nëse ka vullnet politik mes tre partive politike opozitare, dhe të paktën dy nga këto parti të pajtohen që pozita e kryeministrit t’i takojë njërës prej tyre.
Top Channel