
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar daljen publike të kryeministrit Rama me sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, teksa më herët kishte deklaruar se ai ishte larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar drejtësisë.
Në një konferencë për mediat, ai tha se “Në rast se ai është operuar, unë kam koment si për çdo të sëmurë: shërim të plotë. Në rast se ai për llogari të vetes dhe Edi Ramës ka bërë të sëmurin imagjinar, atëherë ai është i pashpresë. Kaq i them!”.
Dy ditë më parë, sapo u kthye nga Gjermania, ku ndodhej në Panairin e Turizmit, Rama u shfaq në krah të Engjëll Agaçit.
“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”-shkruan Rama krahas videos.
Top Channel