
Departamenti i anti drogës Greke në bashkëpunim me Dean Amerikane kanë bërë të mundur bllokimin e një sasie prej 17 kg kokainë e pastër që kishte destinacion Athinën.
Sipas njoftimit të policisë greke, organizata tentoi ta importonte lëndën narkotike nëpërmjet Amerikës Latine me destinacion të ndërmjetëm një aeroport europian, por sipas burimeve nga blutë e Athinës, agjentët e shërbimeve Greke ishin njoftuar në kohë për këtë tentativë.
Kështu, sapo 30 vjeçari Josif Samka i datëlindjes 1995 i dënuar edhe më parë për trafik droge, zbriti nga avioni dhe tërhoqi dy valixhet e tij,u ndoq në distancë prej policisë.
Pak metra jashtë daljes së aeroportit të Athinës ai u pa të takojë shtetasin shqiptar Pajtim Gëzim Kaleshi i datëlindjes 1997 dhe të dy së bashku hipën në automjetin e këtij të fundit.
Policia ndërhyri duke i prangosur menjëherë.
Prej kontrollit të valixheve rezultoi se brenda tyre ndodheshin 16 pako kokainë me peshë 17 kg kokainë e pastër, një celular dhe shuma prej 590 euro cash.
Mbas verifikimeve u vërtetua edhe prezenca e një shtetasi tjetër shqiptar me inicialet A.S. por që nuk u arrestua dhe është shpallur në kërkim.
Burime policore thanë se dyshohet se organizata e ka kryer edhe herë të tjera këtë lloj trafiku por në sasi më të vogël droge.
Dy të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie.
Top Channel