
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke iu përgjigjur komentuesve në rubrikën “Sy me Sy”, për zhvillimin e turizmit në vend.
Kreu i qeverisë i përgjigjet komentuesit dukje thënë se suksesi i Shqipërisë turistike sot është vizioni, programi dhe puna e kësaj qeverie, teksa shtoi se 10 vite më parë Shqipëria ishte inferiore.
Ndër të tjera u ndal te zgjedhjet e 11 majit, ku tha se “do të marrë shumë llafe me vete”.
Sakaq Rama tha se 2025 do të jetë viti i mandatit të ri që do të merret më 11 maj.
Komentuesi: Please! Me shfrytëzimin e gjithë vijës bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, dhe kthimi në destinacion tashmë super të shtrenjta, Kroacia dhe Greqia. Vetëm Shqipëria kishte mbetur pa u shfrytëzuar me çmime të lira. A ta kanë thënë që jemi në vitin 2025.
Rama: Nuk e kuptova çfarë kishit parasysh me pyetjen për vitin ku jemi, po që jemi 2025, e kam shumë, shumë të qartë, edhe sepse ky është viti i mandatit të ri qeverisës që do ta marrim në 11 maj, kështu që nuk kam se si e ngatërroj. Por edhe ju po ju përsëris atë që i thashë Paulinit, gëzohuni, mos kini frikë të gëzoheni për Shqipërinë kur ajo bën sukses dhe këtë muhabetin që vetëm ne kishim mbetur pa u zhvilluar, kështu që kjo do ndodhte siç ndodh kur bie shi apo kur bie borë mos e bëni kështu, se nuk është fare serioze është shumë qesharake kjo mënyrë të arsyetuari. Fakti që po ndodh kështu sot lidhet me punët kryesore që janë bërë në këto vite në çdo drejtim për të përmbysur në radhë të parë, atë imazhin skandaloz të Shqipërisë, për të pastruar llumin, plehrat e kudo ndodhura, për të rilindur qytetet, për të rindërtuar infrastrukturën, për të mbështetur investimet në turizëm, në bujqësi, në biznes të vogël, edhe me radhë e me radhë e me radhë.
A do rritej kështu turizmi nëse aeroporti, për shembull, do vazhdonte të ishte më i shtrenjti në Europë? Nëse Tirana do vazhdon të ishte ajo e 10 viteve më parë, që gërhiste dhe e rizgjuam nga gjumi, nëse Vlora, Korça, Berati, Gjirokastra, Himara, Lezha, e me radhë, e me radhë, do ishin ato 10 vite më parë, ku nuk bëje dot një fotografi, se s’kishe nga rrotulloheshe nga rrënimi?! Nëse Shqipëria do ishte akoma inferiore dhe e përçmuar ndërkombëtarisht, si deri 10 vjet më parë, që na shihnin gjithë nga lart poshtë edhe rrudhnin buzët kur dëgjonin Shqipëri e kur dëgjonin shqiptarë?! Ka shumë nëse, nëse, nëse po ka një fakt kokëfortë, suksesi i Shqipërisë turistike sot është vizioni, programi, puna këmbëngulëse e kësaj qeverie dhe askujt tjetër, si dhe aleanca jonë strategjike me sipërmarrësit e mëdhenj dhe të vegjël të Shqipërisë, që punon, punon, punon, e nuk merret me llafe.
Të tjerat janë llafe, llafe që i merr era dhe era 11 majit, yh sa llafe do marri me vete. Ja erdhi! Do ta shohim sa llafe do të marri me vete ai 11 maj i bekuar do jetë.
Top Channel