
Keir Starmer u përpoq të ribashkonte copëzat e katastrofës që ndodhi të premten, më 28 shkurt, në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri britanik është i angazhuar në atë që Downing Street e përshkruan si një “sprint diplomatik” për të shmangur kolapsin e mbështetjes për Ukrainën dhe një ndarje të pariparueshme midis Amerikës dhe Europës. Jo më kot, ndërsa dje liderët evropianë garonin për të shprehur indinjatën e tyre ndaj trajtimit që Trump i rezervoi Zelenskyt, Starmer qëndroi i heshtur – deri në mbrëmje, kur telefonoi si presidentin amerikan ashtu edhe atë ukrainas në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme.
Përmbajtja e këtyre dy bisedave është mbajtur rreptësisht konfidenciale, por është e qartë se Londra po synon të luajë rolin e ndërmjetësit midis SHBA-së dhe Kievit, si dhe midis amerikanëve dhe evropianëve. Në këtë pikë, samiti i së dielës në kryeqytetin britanik merr një rëndësi vendimtare: nëse fillimisht dukej thjesht si një raportim mbi takimet e javës së fundit në Shtëpinë e Bardhë, tani shndërrohet në arenën ku do të artikulohet një përgjigje e parë ndaj tronditjes që Trump i dha rendit ndërkombëtar.
Të dielën, Starmer do të presë 16 liderë evropianë, si dhe Zelenskyn, në Lancaster House, rezidencën madhështore të “Foreign Office” në zemër të Londrës, e përdorur si set për “Buckingham Palace” në serialin “The Crown”. Para fillimit të samitit, kryeministri britanik do të mbajë dy takime bilaterale, një me liderin ukrainas dhe një me Giorgia Melonin – një detaj domethënës, pasi edhe kryeministrja italiane ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Trumpin.
Gjatë takimit, Starmer do të përpiqet të bindë aleatët që të vënë në dispozicion trupa për kontingjentin anglo-francez, i cili pritet të garantojë një paqe të mundshme në Ukrainë. Për më tepër, ai do të ushtrojë presion që evropianët të ndërmarrin hapa konkretë për të krijuar një mbrojtje kolektive, duke rritur shpenzimet ushtarake.
Të gjitha këto veprime vlejnë gjithashtu si karta për të shmangur tërheqjen e plotë të SHBA-së. Në fakt, Starmer u paraqit të enjten në Shtëpinë e Bardhë me njoftimin se Britania do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në 2.5% të PBB-së, me një angazhim për t’i çuar deri në 3%. Takimi midis kryeministrit britanik dhe Trumpit shkoi jashtëzakonisht mirë, përtej pritshmërive, edhe pse presidenti amerikan nuk u angazhua për kërkesën kryesore të Londrës: një “backstop”, pra një mekanizëm sigurie nga SHBA për të mbrojtur kontingjentin e ardhshëm evropian që do të vendoset në Ukrainë.
Në çdo rast, Starmer synon të përdorë kapitalin diplomatik të fituar në Washington për të ndihmuar në afrimin e Europës me Ukrainën – një rol që, paradoksalisht, është lehtësuar nga Brexit. Siç e shpjegoi ambasadori i ri britanik Peter Mandelson, ish-këshilltari i Tony Blair, Britania mund të mbështetet tek fakti që “nuk është Evropë”, duke e lejuar atë të shërbejë si një urë lidhëse midis dy brigjeve të Atlantikut.
Top Channel