“Bonusi i votës”/ Rama kundërshton komentuesin: Po përpiqemi ta kurojmë skemën e pensioneve, por pa krijuar tjetër piramidë si ato të Sudes dhe Bufit të Kenetës

01/03/2025 15:55

Kryeministri Edi Rama, përmes rubrikës “Sy m’sy” ka replikuar me një komentues që e quan bonusin e pranverës për pensionistët, “bonusin e votës”.

“Këtë nuk e them, sepse e para votën e pensionistëve unë e kam pasur dhe e kam si vlerësim për punën nga njerëzit që kanë jetuar me punë. Pensionistët kanë të gjithë mirënjohjen timen dhe tonën. Me reformën e pensioneve, ne kemi bërë në mandatit tonë të parë, që kush ka dalë në pension pas reformës, të ketë një pension më dinjitoz. Ndërsa plagën e tmerrshme të trashëgimisë së logjikës së skemës së pensioneve, ne po përpiqemi ta kurojmë, por pa krijuar një tjetër piramidë, si ato të Sudes, Rrapushit dhe Bufit të Kenetës. Padiskutim që nuk mjafton, por nuk mund të mohosh se është më shumë se dje. Kjo do të thotë të mos flasësh me mend e tua, por më çfarë të fut në gojë Bufi i Kënetës”, u përgjigj Rama.

Më herët, kryeministri bëri të ditur se nga e hëna e 3 marsit nis dhe shpërndarja e Bonusit të Pranverës për mbi 730 mijë pensionistë brenda dhe jashtë vendit.

“Bonusi i Pranverës nis shpërndarjen nga e hëna për 730430 pensionistë, brenda a jashtë vendit, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Nga kjo politikë mbështetëse 524 mijë të moshuar në të gjithë Shqipërinë të cilët kanë pension nën 20,000 lekë, do të përfitojnë një bonus 10 mijë lekë. Dhe 206 mijë pensionist që marrin mbi 20,000 lekë pension, bonusi do të jetë 5 mijë lekë. Afatet për tërheqjen e bonusit të pranverës janë deri më 30 shtator 2025. Ndërkohë për të gjithë pensionistët që nuk kanë tërhequr ende bonusin e fundvitit, mund ta tërheqin atë deri më 30 qershor 2025.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA