
Në luftën Rusi – Ukrainë ka filluar një epokë e re pas telefonatës mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, mosmarrëveshjeve të hapura midis SHBA-së dhe evropianëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe disa zhvillimeve të tjera.
Aktivitetet diplomatike janë intensifikuar ndjeshëm kohët e fundit: para së gjithash, evropianët dhe vetë Ukraina po përpiqen të riorganizohen. Pikërisht për këtë arsye presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi Turqinë këtë javë.
Turqia aktualisht nuk është ulur në tryezën e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, por presidenti i saj Recep Tayyip Erdogan ende ka shpresë se vendi i tij do të luajë një rol kyç në bisedimet e ardhshme të paqes me Rusinë si dhe në arkitekturën e re të sigurisë.
Gjatë luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, Turqia vazhdimisht u përpoq të mbante kanalet diplomatike të hapura për të dyja palët, duke kultivuar marrëdhënie të mira me Moskën dhe Kievin. Erdogan dëshiron të vazhdojë këtë politikë.
Ai e përsëriti këtë gjatë vizitës së Zelenskyt në Ankara. Erdogan deklaroi se Turqia do të japë të gjithë mbështetjen e mundshme për të siguruar që negociatat të përfundojnë në një paqe të qëndrueshme. Ai rekomandoi Turqinë si “një mikpritëse ideale për bisedimet e mundshme midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA”. Erdogan theksoi se të dyja palët e shohin Turqinë si një “ndërmjetësues të besuar”. Por nuk dihet nëse ky propozim do të pranohet.
Helin Sari Ertem, një shkencëtare politike në Universitetin Medeniyet në Stamboll, thekson se Turqia prej kohësh dëshiron të marrë rolin e ndërmjetësit në këtë konflikt si një fuqi rajonale në rritje. Megjithatë, përpjekjet turke kohët e fundit kanë hasur në pengesa.
“Turqia është ndjerë e përjashtuar, ashtu si edhe vendet evropiane, që nga samiti SHBA-Rusi në Arabinë Saudite. Kjo duhet theksuar qartë.” Ankaraja ka investuar shumë në rolin e saj ndërmjetësues. “Por a do të luajë akoma Turqia një rol? Është e mundur që SHBA-ja e do këtë,” thotë Ertem, duke shtuar se Turqia është e gatshme të marrë këtë rol.
Turqia ka luajtur një rol konstruktiv në krijimin e të ashtuquajturit “korridori i grurit” në Detin e Zi, i cili mundësoi eksportin e produkteve kryesore ushqimore nga Ukraina. Fatih Ceylan, ish-ambasador turk në NATO, kujton se Ankaraja u përpoq të ndërmjetësonte negociatat në Antalia dhe Stamboll në muajt e parë të luftës. Megjithatë, përjashtimi i Evropës nga diskutimi për rolin e Turqisë i ka vënë të gjithë partnerët evropianë të Ukrainës – dhe vetë Turqinë – në një pozitë të palakmueshme. Derisa të bëhet e qartë se çfarë lloj plani po propozohet, është e pamundur të jepet ndonjë mbështetje e vlefshme. “Është një iluzion”, thotë Ceylan.
Ai paralajmëron se kriza aktuale në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Evropës për sigurinë, ekonominë dhe tregtinë mund të prekë edhe Turqinë. “Nëse dikush mendon se mund të qëndrojë anash, ky është një iluzion”, thekson Cejlan. Dobësimi i ekonomive evropiane për shkak të konfliktit do të ndikonte negativisht edhe në bilancin tregtar të Turqisë. “Kjo do të prekte drejtpërdrejt edhe Turqinë,” përfundon ai.
Top Channel