
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, gjatë seancës gjyqësore, ka rrëfyer si u organizuan vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Rigers Runajt.
Ai ka treguar se kanë pasur një listë të personave që duhej të eliminonin, por nuk kishte radhë për të bërë vrasjet. “Kush të dilte para, do të eliminohej“, është shprehur ai. Informacionet, ka shtuar ai, i merrte nga Erion Alibej.
Ndërsa Henrik Hoxha dinte lëvizjet dhe makinat e Emiliano Ramazanit. Si informatore kishin paguar një instruktore palestre, që tregonte kur dilte nga palestra Ramazani.
Avokati: Në cilin moment vendosët të hakmerreshit drejt vrasësve të vëllait të Alibeaj?
Dumani: Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por iu bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo t’i vrisja unë. Pasi u takuam, vendosa ta ndihmoja.
Avokati: Kur u bë kjo bisedë?
Dumani: Pasi qëndruam 2-3 orë. Që herën e parë.
Avokati: Keni thënë që hartuat një listë?
Dumani: Pasi mësova që Alibeaj po hetonte për Talo Celën dhe pata një bisedë me Fatmir Troplinin vendosëm që do godisnim ne të Durrësit. Unë kisha parë lëvizjet e Dorian Shkozës. E shikoja që më vinte pas me makina të ndryshme. Franc e Hajdar Çopja nuk ishin aty. Kel Kamami nuk ishte aty.
Avokati: Keni treguar dhe për vrasjet e Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt? Kur e vendosët?
Dumani: Ishte verë 2020. Ishin shumë emra për t’u vrarë në Elbasan. Nuk kishim radhë, por kush të dilte para do eliminohej.
Emiliano Ramazani u bë i pari. Në Elbasan unë informacion merrja veç nga Elio Bitri. Emiliano Ramazani shkonte në një palestër në Elbasan. Kishim informacion të brendshëm nga aty. Alibejt i vinin foto herë pas here edhe për Bujar Çelën dhe Emiliano Ramazanin.
Avokati: Çfarë marrëdhënie kishte Alibeaj me Julian Hoxhajn?
Dumani: Shoqërore. Alibeaj e paguante për informacionet që i sillte Julian Hoxhaj. I jepte lekë. Njëherë më ka thënë Erioni që i ka dhënë 20 mijë euro.
Avokati: Kush të ndihmoi në vrasjen e Ramazanit?
Dumani: Informacion merrja nga Alibej, por kisha edhe Henrik Hoxhën, që dinte lëvizjet dhe makinat e Emiliano Ramazanit. Ne kishim informatore një instruktore palestre. Ajo na jepte informacion me telefon për lëvizjet e tij, kur ikte nga palestra.
Avokati: Kush e mori vendimin për vrasjen e Rigers Runajt?
Dumani: Erion Alibej e mori.
Top Channel