
Arben Çipa kreu i shoqatës së turizmit në Sarandë dhe drejtuesi i një operatori turistik është dhunuar fizikisht në një zonë rurale pranë Sarandës të quajtur Heremec nga dy persona brenda automjetit të tij.
Ai kishte shkuar për të mbikëqyrur punimet e një investimi që po kryen në atë zonë ndërsa është sulmuar nga dy persona me të cilët fillimisht ka debatuar.
“Biznesi im ndodhet në një zonë që quhet zona Heremec dhe ndodhem në një fazë ku po investoj për infrastrukturën e rrugës shoqëruar në mënyrë paralele edhe me infrastrukturën e energjisë elektrike. Ne kemi marrë një projekt të aprovuar edhe me leje punimesh nga OSHE për të zhvilluar zonën. Kjo zonë është totalisht pa asnjë lloj ndërtimi. Personat që më goditën prej të cilëve njëri është arrestuar dhe tjetri në kërkim kanë pretenduar që unë të mos kaloj linjën për shkak se i pret pamjen për të ardhmen e tyre. Aktualisht nuk kanë as biznes as objekt por kanë planet e tyre. Pavarësisht kësaj unë kam pranuar përmes telefonit për të bërë ndonjë ndryshim. Një lëshim të natyrës teknike e kam bërë që ata të mos kenë probleme në të ardhmen siç pretendojnë. Ata kanë shfrytëzuar këtë mirësi dhe gjatë natës kanë zhvendosur një pjesë të konsiderueshme të bazamentit që lidhet me shtyllat e energjisë elektrike pa leje dhe sipas mendjes së tyre. I kam telefonuar pa suskses. Ju kam çuar mesazhe që të rikthejnë bazën materiale. Unë vetëm emrin “Diu” i di personit siç flitet në Sarandë dhe nuk kam as detaje të tjera.
Nuk ka pasur asnjë çështje të mëparshme. Gjatë ditës unë shkoj atje ku kam investuar për pjesën turistike. Zotërinjtë në fjalë më prenë rrugën në një segment rural me akses të vështirë. Kanë filluar me pretendime dhe ofendime. Kam reaguar edhe unë në gjuhën e tyre. Pas kësaj ata kanë dalë nga automjeti dhe kanë shfrytëzuar momentin. Unë tentova të mbrohem. Ata përveç faktit që kanë filluar të më godasin me shkelma dhe grushta të dy njëkohësisht. Më pas kanë marrë sende të forta gurë nga toka dhe më kanë goditur. Ishin agresivë primitivë. Njëri prej tyre ndërsa dola nga makina ka marrë një gur me përmasa të mëdha për të ma hedhur në kokë e kjo mund të kishte qenë fatale. Kam dyshime se edhe një person i tretë i përfshirë në punimet e investimit tim mund të jetë përfshirë duke informuar këta persona mbi hapat që unë po ndjek.
Këta janë persona “të paprekshëm” në Sarandë dhe ju kanë rënë në qafë shumë qytetarëve në rastet e çështjeve të pronësisë dhe përfiton qyteti nëse dtejtësia vendoset në vend.
Desha të bëj një apel, ngaqë çështja është në dorë të prokurorisë do të duhet të ulet këmbëkryq e të peshojë gjithë realitetin e këtyre elementëve që quhen ndryshe edhe ” katër elementë” sepse janë katër me qëllim që të vendoset pika mbi “i”. Policia dhe prokuroria do të vazhdojnë me këtë çështje. Unë do të vazhdoj jetën por nga ana ime nuk do të ketë lëshim deri në fund.”
Çipa i ka etiketuar personat e përfshirë në sulmin ndaj tij si “të paprekshëm” dhe të fortët e Sarandës, ” katër elementët” dhe si një kërcënim për qytetarët në përgjithësi.
Policia e Sarandës ndërkaq ka ndaluar për këtë ngjarje në një shtëpi në Lukovë një 37 vjeçar me precedentë të mëparshëm kriminalë, për krime ndaj personit si dhe ka vënë në kërkim nipin 29 vjeçar të këtij të fundit.
Top Channel