Bashkëpunimi Shqipëri-Itali kundër krimit të organizuar dhe drogës, kreu i Policisë Ilir Proda takon homologun italian

22/02/2025 09:57

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë, Itali.

Proda u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, njëherazi Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme të Italisë, Prefekti Vittorio Pisani.

Gjatë takimit, dy drejtorët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, migracionit të parregullt, terrorizmit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.

Bashkëpunimi në fushën e formimit dhe arsimit policor ishte një tjetër temë e diskutimit mes dy delegacioneve, duke shprehur gatishmërinë që edhe në këtë fushë të ketë sa më shumë shkëmbime eksperiencash, trajnime dhe sa më shumë literaturë të Akademisë së Policisë Italiane për Akademinë e Sigurisë së Policisë Shqiptare.

Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mori pjesë edhe në Takimin e Pestë të Tavolinës Teknike Itali-Shqipëri, ku së bashku me Zëvendësdrejtorin dhe Drejtorin Qendror të Policisë Kriminale Italiane, Prefektin Raffaele Grassi, dhe drejtuesit më të lartë të policisë së të dy vendeve, diskutuan në mënyrë të detajuar mbi sfidat dhe strategjitë për rritjen e sigurisë.

Në kuadër të kësaj vizite, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi një takim edhe me Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri. Kjo vizitë u realizua me mbështetjen e autoriteteve italiane dhe projektit EU4FAST WB.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA