
Deklaratat e Donald Trumpit për Ukrainën kanë ngjallur mes vendeve të Europës qendrore dhe juglindore, frikën se ato mund të mbeten sërish të ekspozuara e të pambrojtura kundrejt Rusisë.
Pothuajse të gjithë popujt e kombet në këtë rajon, ashtu si edhe Ukraina, kanë vuajtur rëndë nën politikën imperiale të Perandorisë Ruse dhe më vonë të Bashkimit Sovjetik – një traumë, që i ka rrënjët shekuj më parë dhe që edhe sot mezi kuptohet në Europën Perëndimore, kujton DW. Distancimi i Trumpit prej Ukrainës ka bërë që në këto vende tani të krijohet kriza më e thellë besimit që nga vitet 1980, kur ende nuk ishte e qartë, se si do të reagonte Bashkimi Sovjetik ndaj lëvizjeve të lirisë dhe pavarësisë. Që nga fundi i viteve 1990 SHBA në kuadrin e NATO-s kanë qenë garantuesi më i rëndësishëm i sigurisë në Europën juglindore dhe qendrore.
Më fort, kambanat e alarmit duket se po bien në Rumani, ku shefi i kabinetit presidencial Cristian Diaconescu, akuzoi Moskën se në takimin e Riadit mes ministrave të Jashtëm i ka propozuar SHBA-së një “Jaltë të re” dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Rumania. Intelektualë të njohur rumunë, ndër ta politologu Vladimir Tismaneanu, e cilëson takimin në Riad si “tradhëti” ndaj Ukrainës dhe vlerave perëndimore si dhe si “një Mynih i ri”.
Në Marrëveshjen e Mynihut më 30 shtator 1938 Rajhu Gjerman, Franca, Italia dhe Britania e Madhe pa pjesëmarrjen e Çekosllovakisë vendosën shkëputjen e rajonit të Sudetëve duke ia kaluar atë Rajhut Gjerman.
Shqetësimet e tyre duket i shton edhe fakti që manjati i teknologjisë, këshilltar i ngushtë i Trumpit, Elon Musk, ka dalë hapur në mbështetje të kandidatit ekstremist të djathtë dhe pro-rus për president Calin Georgescu, i cili bën thirrje për copëtimin e shtetit të Ukrainës dhe ndarjen e saj ndërmjet Rusisë, Hungarisë dhe Rumanisë.
Top Channel