
Rusia po përgatitet të shpallë fitoren në luftën me Ukrainën brenda disa ditësh, mes një përplasjeje publike mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.
Sipas agjencisë ushtarake të inteligjencës së Kievit, GUR, Vladimir Putin pritet ta paraqesë shpalljen e fitores jo vetëm si një triumf ndaj Ukrainës, por edhe ndaj NATO-s, duke e portretizuar konfliktin si një disfatë më të gjerë për Perëndimin.
E hëna shënon përvjetorin e tretë të luftës së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, megjithëse origjina e konfliktit daton që nga viti 2014, kur Putin aneksoi Krimenë dhe mori nën kontroll pjesë të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.
“Rusia po përgatitet të shpallë një të ashtuquajtur ‘fitore’ në luftën kundër Ukrainës në një datë simbolike – 24 shkurt 2025, përvjetorin e tretë të fillimit të luftës në shkallë të gjerë,” tha sot agjencia GUR.
“Madje, këto plane mund të përfshijnë edhe një ‘fitore ruse ndaj NATO-s’, pasi propaganda ruse e ka paraqitur prej kohësh luftën kundër Ukrainës si një luftë kundër Aleancës.”
Ky zhvillim – nëse ndodh – vjen mes përpjekjeve të fuqishme për t’i dhënë fund luftës, të udhëhequra nga Donald Trump dhe administrata e tij, por me frikën në Europë dhe Ukrainë se një marrëveshje do t’i japë avantazh Rusisë, duke e shpërblyer Putinin për agresionin e tij ushtarak.
Top Channel