
Gjendja e Papa Françeskut nuk konsiderohet kërcënuese për jetën, por ai nuk është jashtë rrezikut, thotë ekipi i tij mjekësor që po ndjek terapinë intensive të papës për të luftuar pneumoninë dhe një infeksion kompleks të mushkërive.
Në përditësimin e parë të informacionit mbi gjendjen e Papës, mjeku personal i Françeskut, Luigi Carbone dhe kirurgu në spitalin Gemelli të Romës, Sergio Alfieri, u përpoqën të qetësonin publikun duke thënë se papa Françesku po i përgjigjet terapisë me ilaçe që u shtua, pasi pneumonia u diagnostikua në fillim të kësaj jave.
“Ai po lufton gjithashtu një infeksion të shumëfishtë të baktereve dhe viruseve në traktin respirator”, thuhet në informacionin e ekipit mjekësor të papa Franceskut.
Mjekët thanë se nuk kishte asnjë provë që mikrobet kishin hyrë në gjakun e tij. Megjithatë, papa Francesku ka të ngjarë të qëndrojë në spital “të paktën gjatë gjithë javës së ardhshme” pasi ekziston ende rreziku që infeksioni të përhapet në pjesë të tjera të trupit.
Papa Françesku po merr gjithashtu oksigjen shtesë kur i nevojitet.
Top Channel