Zbardhet plani i Egjiptit për Gazën! Zgjidhja e propozuar nuk zhvendos palestinezët, rindërtimi zgjat 5 vjet

18/02/2025 15:26

Egjipti po punon për një plan që në pamje të parë, duket të jetë një zgjidhje e favorshme për Gazën, kjo për faktin, se synon menaxhimin e ngërçit të krijuar atje pa qenë nevoja të zhvendoset popullata e munduar e enklavës palestineze thuajse të rrënuar tashmë nga konflikti i dhunshëm mbi një vjeçar me Izraelin.

Në krah të Kajros janë edhe shtetet arabe, të cilat po përpiqen të minimizojnë propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump për t’i larguar banorët nga territori, dhe që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e tij.

Plani, sipas një raportimi të medias shtetërore të Egjiptit, Al-Ahram, bën thirrje për krijimin e “zonave të sigurta” brenda Gazës, ku palestinezët do të mund të qëndronin derisa kompanitë ndërtuese prej Egjiptit dhe vendeve tjera të rindërtonin infrastrukturën. Tre zonat e sigurta do të funksionin për një periudhë fillestare gjashtëmujore, sipas planit.

Mes të tjerash parashikohet krijimi i shtëpive të lëvizshme dhe strehimeve të shumta, e po kështu, të do të mundësohej dërgimi i ndihmave të shumta humanitare. Ky projekt rindërtimi – që mund të zgjasë pesë vjet – do të ofronte mijëra vende pune për banorët e Gazës, pohoi një zyrtar i Egjiptit për agjencinë e lajmeve Associated Press (AP). Po sipas kësaj agjencie të njohur, e Kairoja është duke e diskutuar planin me zyrtarë në Evropë, Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto negociata thuhet se po diskutohen edhe ndarjet e buxhetit.

I gjithë ky angazhim vjen dy javë pasi presidenti amerikan Trump i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, se “SHBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës, ndërsa propozoi më tej edhe zhvendosjen e palestinezëve prej andej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA