
Pasditen e kësaj të hëne, vëllai i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, e ka vizituar atë në ambientet e burgut të Durrësit, ku ai u transferua pas vendimit të GJKKO-së.
Kjo është vizita e parë nga një familjar i Erion Veliajt që nga momenti i transferimit nga Blloku i Sigurisë në IEVP Durrës, ndërkohë që edhe avokati i tij ka pasur kontakte me të në paraburgim.
Erjon Veliaj mbahet në burgun e Durrësit dhe vazhdimisht nga qelia ka hedhur akuza ndaj prokurorëve të SPAK , mes tyre edhe për gjendjen gjyqësore ku Veliaj paraqitej si një i dënuar, rrethanë që rezultoi e pavërtetë. SPAK dhe drejtoria e burgjeve sqaruan se e përshkruan si të dënuar Veliajn, për shkak të një gabimi në sistemin elektronik.
Ditën e djeshme, Ermir Beta, që është avokati mbrojtës i Erjon Veliaj ka kundërshtuar masën e arrestit me burg të shpallur ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Në këtë apelim kërkohet shfuqizimi i masës datë 9 shkurt 2025, shpallur në mungesë nga gjyqtari antikorrupsion Z. Erjon Bani, i cili firmosi tetë masa personale, midis tyre për kryebashkiakun e Tiranës dhe për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
Avokati deklaroi se mbrojtja po bëhet gati të apelojë edhe masën e konfirmuar në datë 12 shkurt, ditë në të cilën masat për Veliaj, dhe Elman Abule u konfirmuan arrest me burg.
Top Channel