
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen në Arabinë Saudite, për përfundimin e luftës së Moskës në Ukrainë.
Duke folur më 15 shkurt, Zelensky tha gjithashtu se Ukraina nuk do të bisedojë me Rusinë pa u këshilluar fillimisht me aleatët e vet evropianë.
“Ne nuk kemi asnjë dokument, asnjë ftesë. Për mua është e çuditshme të flas në këtë rast, në këtë mënyrë, nëse më parë nuk kemi zhvilluar asnjë bisedë mes vete si aleatë dhe partnerë strategjikë”, tha ai gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih.
“Për aq sa di unë, Rusia nuk është partneri ynë strategjik”, shtoi ai.
Reagimi i Zelenskyt vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do ta dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë, thanë zyrtarët amerikanë për media të ndryshme.
Zyrtarët amerikanë thanë për gazetarë më 15 shkurt se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, dhe negociatori për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të marrin pjesë në bisedime.
Keith Kellogg, i dërguari i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, nuk pritet të marrë pjesë në bisedime, sipas mediave që cituan zyrtarë amerikanë.
Zyrtarët amerikanë nuk dhanë hollësi se kur do të zhvillohen takimet në Arabinë Saudite. Rubio mbërriti në Izrael mbrëmjen më 15 shkurtit, pasi mori pjesë në konferencën e Munihut.
Mykhaylo Podolyak, këshilltar i lartë i Zelenskyt, tha se “nuk ka negociatorë që do ta përfaqësojnë Ukrainën në Arabinë Saudite”.
“Sot, nuk ka asgjë në tryezën e bisedimeve që mund të diskutohet. Rusia nuk është e gatshme për negociata”, tha ai për televizionin ukrainas pas komenteve të Zelenskyt më 15 shkurt.
Ndërkohë, liderët evropianë pritet të mblidhen javën e ardhshme në Paris për një takim urgjent në lidhje me luftën në Ukrainë.
Ky takim pritet të mbahet pas shqetësimeve se Uashingtoni do të lërë Evropën jashtë bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kellogg shkaktoi habi kur tha se Evropa mund të mos jetë në “tryezën”, nëse Shtetet e Bashkuara i ndërmjetësojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Duke folur në një panel dreke në Konferencën e Sigurisë në Munih më 15 shkurt, Kellogg la të kuptohet se Uashingtoni synon të bëjë përparime të rëndësishme brenda disa javësh, duke theksuar se ai po vepron “me kohën e Trumpit”.
Mes shqetësimeve në Kiev dhe Bashkimin Evropian se ata mund të anashkalohen pasi Trump foli me presidentin rus Vladimir Putin këtë javë dhe tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të fillonin menjëherë negociatat, Kellogg theksoi se Ukraina dhe Evropa nuk do të përjashtohen.
“Duhet t’i përfshish aleatët. A do të luajnë rol ata? Sigurisht që po. Ne duam të sigurohemi që është një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë”, shtoi ai.
Megjithatë, kur u pyet nëse mund të garantonte audiencën se “ukrainasit do të jenë në tryezë dhe evropianët do të jenë në tryezë”, Kellogg u përgjigj: “Oh, mirë, sapo ndryshuat gjithë dinamikën”.
“Përgjigja për pyetjen e fundit… është jo”, tha ai, duke iu referuar me sa duket Evropës. “Përgjigja për pjesën e parë të asaj pyetjeje është po, sigurisht që ukrainasit do të jenë aty”.
Departamenti amerikan i Shtetit tha më 15 shkurt se sekretari Rubio bisedoi në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës.
Biseda e Rubios me Lavrovin “u bë në vazhdën e bisedimeve pas bisedës së presidentit Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin më herët këtë javë”, thuhet në një komunikatë të shkurtër.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderët e BE-së, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimit të bisedimeve pa përfshirjen e negociatorëve të tyre.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje kundër një “zgjidhjeje të shpejtë” dhe një “marrëveshjeje të pistë” për përfundimin e konfliktit, duke këmbëngulur se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e Evropës dhe Ukrainës.
Duke iu drejtuar konferencës së Munihut, Zelensky u bëri thirrje vendeve të Evropës për themelimin e një ushtrie të përbashkët, në rast të tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.
“Ka ardhur koha, Forcat e Armatosura të Evropës duhet të krijohen”, tha ai.
“Nëse amerikanët vendosin të largohen, ta kufizojnë praninë e tyre, nuk është gjë e mirë, natyrisht, është e rrezikshme”, tha Zelensky.
Në margjinat e konferencës së Munihut, vendet e industrializuara të G7-ës ritheksuan “mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën. /REL
Top Channel