Avokatët kundërshtuan masën “arrest me burg” për Veliajn, zbardhen disa nga argumentet: Projektet u financuan…

16/02/2025 22:34

Zbardhen disa nga argumentet me të cilat avokatët kundërshtojnë masën e arrestit me burg duke ju drejtuar kështu Gjykatës së Apelit.

Mes të tjerash në apelimin e dërguar Apelit përmendet se vepra penale që i atribuohet personit nën hetim Erion Veliaj, ajo e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal bazohet tërësisht në supozime të organit procedues, të tilla që mund të shërbejnë për ngritjen e pistave të mundshme hetimore, por këto supozime nuk kënaqin kërkesat ligjore për caktim mase sigurimi personal, aq më pak të një mase si ajo e arrestit në burg.

“Prezumohet që z. Erion Veliaj ka favorizuar persona juridikë dhe administratorë të tyre që po hetohen për nenin 245 të Kodit Penal, pasi paskan përfituar padrejtësisht fonde apo punë publike nga Bashkia Tiranë, por ka një mungesë totale të provueshmërisë së këtij fakti penal të pretenduar, duke ia atribuuar këtë akuzë në nivel aludimesh, të pamjaftueshme edhe për standardin që kërkohet në lëndë mase sigurimi, atë të dyshimit të arsyeshëm, i cili rezulton të jetë i pabazuar në prova”, argumenton mbrojtja.

Ndërsa më tej shtohet se “të hetuarit mohojnë çdo element kundërligjshmërie përgjatë aktivitetit të tyre lidhur me Bashkinë Tiranë dhe në tërësi vepra penale e parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal nuk formësohet në asnjë prej elementeve të saj.”

Gjithashtu në apelim theksohet se:

“Në të njëjtën nivel paprovueshmërie rezulton edhe fakti tjetër që z. Veliaj i atribuohet, firmosja e disa urdhrave të shpenzimeve për projekte artistiko-kulturore të financuara nga Bashkia Tiranë, ku përfitues paraqiten disa OJF apo shoqërive me përgjegjësi të kufizuar që organi i akuzës i paraqet si të zotëruara në mënyrë indirekte nga znj. Xoxa dhe familjarë të saj.”

Në apelim i thuhet Gjykatës së Apelit të Posaçme:

“Se për këtë fushë të aktivitetit të Bashkisë Tiranë, aktiviteteve kulturore, artistike, rinore e sportive, prej vitit 2016 e në vijim, Këshilli Bashkiak si organ përfaqësues i Bashkisë Tiranë, ka vendosur që të miratojë ngritjen e një Këshilli Artistik-Kulturor, në përbërje të të cilit janë 9 anëtarë emra të shquar të jetës artistike, kulturore e sportive të vendit. Është pikërisht ky këshill organi kolegjial që vendos për miratimin e projektit konkret që do të financohet nga Bashkia Tiranë”, rendit mes të tjerash mbrojtja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA