![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/shkollaa_sd-800x450.jpg)
Shqipëria po shënon përparime të rëndësishme me hapa të sigurtë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Viti 2024 u mbyll me hapjen e suksesshme të negociatave Grupkapitujve 1 “Themeloret” dhe 6 “Politika e jashtme dhe siguria”, së bashku për 10 kapituj e kritere për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ndërsa viti 2025, sipas burimeve të afërta me negociatat, ka filluar me fokus të veçantë nga Shqipëria dhe Bashkimi Evropian, në dy grupkapituj kyç: Grupkapitullin 2 “Tregu i Brendshëm” dhe Grupkapitullin 3 “Konkurueshmëria dhe rritje gjithëpërfshirëse”, së bashku tashmë me edhe 17 kapituj të tjerë të rëndësishëm për ekonominë dhe mirëqenien në rrugën drejt Tregut Unik Evropian dhe anëtarësimit.
Grupi i dyte i Kapitujve, i cili trajton në bisedimet për anëtarësim futjen e vendit në Tregun e brendshëm evropian, është në qendër të vëmendjes pas përfundimit të skanimit me Komisionin Evropian (screening).
Rreth 2 javë më parë, në fund të Janarit, Presidenca Polake, në emër të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, mbi propozimin pozitiv të Komisionit Evropian, i dërgoi Shqipërisë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për 9 fushat – kapitujt e këtij Grupimi, duke vënë në dukje se Shqipëria e ka arritur nivelin e përgatitjes në këto 9 fusha kyçe të ekonomisë dhe tregut dhe duke e ftuar vendin të paraqesë Pozicionin e vet negociues për të avancuar më tej me shqyrtimin dhe me shpresë pozitive, dakortesinë e vendeve anëtare për t’i çelur negociatat teknike me Bashkimin Evropian në këta 9 kapituj.
Data e saktë e hapjes së negociatave teknike te Grupkapitullit 2 ende nuk është e ditur, por sipas burimeve, ajo pritet të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm. Grupkapitulli 2 është një grupim 9 kapitujsh – fushash të ekonomisë dhe tregut për të cilat bisedohet për çeljen dhe negociatat për anëtarësim e që përbëhet nga kapitujt 1, 6, 7, 8, 9 dhe 28 etj.
Këto fusha janë nga më të rëndësishmet për rritjen ekonomike dhe mirëqenien drejt e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi përfshin çështje si liria e qarkullimit të mallrave me tregun evropian, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, e me tej rregullat e konkurrencës ne treg, pronësisë intelektuale dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Nen ritmin e progresit tashme te qarte ne negociatat dhe me njohjen nga Bashkimi Evropian, 27 vendet anëtare dhe Komisioni Evropian, të përgatitjes së vendit për t’i çelur negociatat, rezultat i reformave ekonomike e të rritjes së mirëqenies, Shqipëria ka marrë sot gjithashtu dritën jeshile për të ecur me çeljen e negociatave edhe për 8 fusha të tjera (të quajtur kapituj) të Grupimit te 3 “Konkurrenca dhe Rritja gjithëpërfshirëse” ku Presidenca Polake i ka dërguar Shqipërisë letrën duke i kërkuar Shqipërisë për të paraqitur zyrtarisht pozicionin e saj negociues për Grupkapitullin 3.
Ky grup fushash mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe rritjen gjithëpërfshirëse, duke përfshirë një gamë të gjerë të legjislacionit të BE-së që do të nxisë zhvillimin e një ekonomie të tregut me mirëqenie sociale social, të ngjashme me modelin European, parasheh reforma evropiane te drejtuara drejt arritjes se standartit evropian të mirëqenies, në një sërë fushash jetike si transformimi digjital dhe media (Kapitulli 10), te taksimi (Kapitulli 16), politika ekonomike dhe monetare (Kapitulli 17), punësimi dhe politikat sociale (Kapitulli 19), ndërmarrjet dhe politikat industriale (Kapitulli 20), shkenca dhe kërkimi shkencor (Kapitulli 25), arsimi dhe kultura (Kapitulli 26) dhe bashkimi doganor me BE-në (Kapitulli 29). Hapja e Grupkapitullit 3 pritet gjithashtu së shpejti.
Shqipëria, Qeveria shqiptare, Kuvendi, sistemi i drejtësisë dhe te gjitha institucionet shqiptare kane riafirmuar angazhimin e palëkundur për të vazhduar me reformat evropiane për të përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit, duke synuar që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në BE Brenda 2030, për aspiraten e të gjithë Shqiptareve për Shqipërinë në familjen evropiane.
Opozita ka deklaruar më shumë se një here që nuk do të bëhet pengesë për këtë proces dhe ka treguar vullnet dhe bashkëpunim në lidhje me çështjet e integrimit.
Vullneti politik tashmë edhe i shteteve anëtare të BE-së, së bashku me dhënien e dritës jeshile në vazhdimësi nga Komisioni Evropian dhe përgatitja dinamike e e përshpejtuar teknike e Shqipërisë solli në data historike të njëpasnjëshme për Shqipërinë në fund të 2024 me hapjen e 2 grupkapitujve (1 dhe 6), dhe s po ndal vrulli edhe në 2025, me Letrën e Presidencës Polake të BE-së të datës 29 Janar 2025 dhe atë të sotshmen për të ecur me një hapje të madhe negociatash, si në një “Big bang” të rrugës së zgjerimit dhe anëtarësimit të BEs, edhe me 17 kapituj të tjerë.
Lajmi se së shpejti pritet hapja e dy grupkapitujve të tjerë (2 dhe 3), shënon një ndër fazat më intensive në procesin e negociatave dhe historinë evropiane të Shqipërisë moderne.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian me këtë progres të përshpejtuar dhe të sigurtë deri më tani për negociatat për anëtarësim, po kthehen në kryefjalë të lajmit dhe vëmendjes publike në procesin me fuqinë me transformuese për ekonominë dhe mirëqenien për Shqipërinë dhe konsolidimit të shtetit modern shqiptar me standartin evropian.
Top Channel