![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-13T152514.626-800x450.jpg)
Ekonomia shqiptare për vitin 2025 do të ketë një zgjerim me 4%.
Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare parashikon se do të jetë rritja e punësimit, pagave por dhe aktivitetit të bizneseve që do të ndikojnë pozitivisht në këtë drejtim.
“Kemi kontribute pozitive nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe bujqësisë kanë një performancë krahasimisht më të dobët në raport me këto dy sektorë. Por gjithsesi, në këndvështrimin makroekonomik, pra të atyre faktorëve ekonomikë që përcaktojnë ecurinë ekonomike në afatin e mesëm dhe të gjatë, ne gjykojmë që situata mbetet pozitive”, shprehet Erald Themeli, drejtor i politikave monetare.
Por rreziqet për një luhatje të inflacionit në vend, sipas drejtorit të Politikave Monetare, Erald Themeli nuk priten pasi në treg tashmë ka ekuilibra.
“Në terma të inflacionit, forcimi i kursit të këmbimit gjatë periudhës 2023, 2024, ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndihmuar në vënien nën kontroll të inflacionit dhe ka qenë një faktor që na ka ndihmuar po ashtu të mos jemi shumë agresivë me normalizimin e qëndrimit të politikës monetare. Ne presim që inflacioni të mbesë në objektiv deri në fundin e këtij viti”, shtoi ai.
Qëndrimi I politikës monetare me një normë bazë interesi 2.75% sipas Bankës së Shqipërisë është e përshtatshme për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit përgjatë 2025.
Top Channel