Meta denoncoi kërcënimin brenda qelisë/ Berisha: I ngecën mëngjesin në fyt, akt banditesk dhe hakmarrës

12/02/2025 13:04

Kryedemokrati Sali Berisha, në konferencën për mediat, reagoi edhe për deklaratën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, që pretendon se është kërcënuar në qeli.

Berisha e cilësoi akt hakmarrës të kryeministrit, ndërsa tha se burgjet i kontrollon Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Së fundmi, dënoj me forcën më të madhe kërcënimin që i kanë bërë në burg ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta. Ky është një akt banditesk, hakmarrës, primitiv direkt i Edi Ramës.

Dhe e paralajmëroj Edi Ramën, se çdo që mund të ndodhë, në mënyrë absolute do i kthehet në personale. Urdhëroni, sot kanë shkuar t’i zënë kafshatën e mëngjesit në fyt atij dhe dihet se kush i kontrollon burgjet. I kontrollon Rama me Ulsi Manjën”.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha sot një mesazh nga burgu, ku tha se kontrollohet çdo ditë në qeli. Madje, sipas tij, sot gjatë fjalimit të kryeministrit Edi Rama i është bërë kontroll i posaçëm dhe kontroll i imtësishëm fizik. “Dyshojnë se mos sharroj hekurat e qelisë dhe arratisem”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA