Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, zgjodhi të lexonte mesazhin që i kishte dërguar një qytetar, që akuzon gjyqtarin e çështjes së kryebashkiakut Erion Veliaj, Erion Banin.
Rama citoi qytetarin teksa shkruante se gjyqtari angazhohet vazhdimisht në çështje ‘që kanë target socialistët. Madje, thotë se dosjen “Toyota Yaris”, publikimi i së cilës është i ndaluar, ia ka dhënë kryedemokratit Sali Berisha dhe ky i fundit, në shkelje me ligjin, e lexon në parlament.
“Unë nuk merrem me qytetarin digjital por nuk mund të mos e lexoj sot tani një mesazh që më erdhi mbrëmë, është njeri me emër dhe mbiemër: Ju dëgjova me vëmendje në diskutim, ju e bëtë pyetjen pse tani dhe jo më parë. Sepse pikërisht tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar, i angazhuar nga të gjitha çështjet e veçanta, me target njerëzit tuaj. Gjyqtarët, krahas shorteve, angazhohen për kërkesa të ngutshme dhe ngjarjeve që kanë nevojë të trajtohen përmes disa veprimeve të menjëhershme. Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj se gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar, që t’i rrinte kërkesës për arrest, sepse gjyqtari mund ta zbusë masën e kërkuar nga prokurori, jo ta ashpërsojë. Ky (Erion Bani) caktoi arrest me burg (Erion Veliajn).
Ky gjyqtar e ka nisur karrierën si koleg zyre me… këtë emrin nuk po e them se e keni koleg zyre. Kur ishte në Ministri të Drejtësisë, kur ministër ishte Eduard Halimi, pastaj përfundoi në GJKKO. Ky dhe një tjetër i njohur si ekstrem i djathtë, kanë kaluar më shumë çështje që lidhen me PS, duke kërkuar masa deri në ekstrem, duke kërkuar madje ashpërsimin e masave të kërkuar nga prokurorët. I tillë është dhe rasti X, që diskutohet shumë si një skandal në të gjitha rrethet e juristëve. Është i njëjti gjyqtar për dosjen Toyota Yaris. Ufff, qytetari digjital, hall i madh. Vetëm një fakt, ka urdhëruar ndalimin e publikimit të vendimit të tij, gjë që nuk e bën, por përkundrazi, bën të kundërtën për rastet kur duhet të përbalten njerëzit e PS-së. Tani vendimin e ka Bufi i kënetës (qytetari s’ia ka shkruar kështu emrin), që u lexon shqiptarëve komunikime nga Encrochat në Parlament, i ndaluar për t’u përhapur dhe publikuar. Ku jemi këtu? Kjo është vepër penale! Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO, që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrit në dorë fatin e këtij apo atij“, tha Rama.
Top Channel