![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/hq720-3_sd-1_hd-800x450.jpg)
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, përmes një reagimi, i cilëson absurde akuzat që lidhen me blerjet on line të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Sipas Veliajt, blerjet e Xoxës në internet janë shumë herë më të vogla se sa thuhet në dosjen e SPAK. Madje, kryebashkiaku akuzon prokurorin e çështjes se “nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e tij dhe të gruas”.
“Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysmë milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal.
Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël”.
Sipas SPAK, Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të, thotë Prokuroria e Posaçme.
Top Channel