E PLOTË/ “Do e bëjmë gjithçka mavi”, arrestimi i Veliajt tre muaj para zgjedhjeve, Rama: Është e qartë tani, do të jem edhe unë këtu në Tiranë! 

11/02/2025 20:06

Edi Rama deklaroi sot se do të jetë bashkë më skuadrën e Tiranës në këtë fushatë, pas arrestimit të Erion Veliajt tre muaj para zgjedhjeve.

Ai shtoi se në 11 maj Tirana do t’i japë Partisë Socialiste numrin më të madh të mandateve që ka marrë ndonjëherë ndonjë parti.

“Do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them Kjo nuk është mirë, kjo është mirë, si gjithmonë, dhe pastaj, së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës në 11 maj kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erion Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë një mavi flakëritëse cep e më cep, në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër.

Patjetër që vetvetiu, falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë duhet të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës dhe nuk diskutohet që në 11 maj ne, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve”, tha ai.

Fjala e plotë:

Mirëmbrëma nga unë jashtë programit! Sot jemi këtu për të kremtuar një përvjetor, 105 vjetorin e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë jemi në një paradoks sepse mungon kryetari i bashkisë i zgjedhur nga çerek milion zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën dhe të forcës sonë politike me qytetarët e Tiranës. Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë personalisht dhe sinqerisht nuk e njoh as për fytyrë dhe ndërkohë që kush zgjidhet ka një llogari të përditshme për të dhënë, kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por me siguri jo përpara qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë.

Unë nuk e di dhe nuk më takon mua ta them nëse Erioni është i pafajshëm apo është fajtor, por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur në krye të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij siç ndaj çdo individi, nga ana e kujtdo që ka detyrën të trajtojë çështje që lidhen me drejtësinë, por është dhe një detyrim ndaj të gjithë atyre që e kanë zgjedhur në mënyrë që të bëhen që të dyja, edhe puna për kontratën me zgjedhësit, edhe puna e drejtësisë për të nxjerrë deri në fund, në një proces të rregullt me standarde demokratike të vërtetën dhe për të përcaktuar në të gjitha shkallët e gjykimit fajin ose pafajësinë e tij apo të kujtdo tjetër.

Për hir të vërtetës, ne deri më sot kemi zgjedhur që të mos komentojmë. Kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi. Është mbyllur në shtëpi në një qytet në skaj të Shqipërisë ku burimet njerëzore nuk janë të pafundme dhe i është ndaluar të zbatojë kontratën me zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë, por pa gjyq, pa gjyq.

Mund të vazhdoj edhe me raste të tjera, i kemi konsideruar lajthitje në objekt duke qenë të bindur që koha dhe reflektimi i brendshëm i institucioneve më të reja, domosdoshmëria për të pajtuar përpjekjet për drejtësi me standardet europiane të drejtësisë duhet të bëjnë të tyren pa pasur nevojë që ne të flasim. Mirëpo ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën absolute dhe gjithmonë pa lëkundjen e mbështetur nga ne për të hetuar dhe për të çuar përpara drejtësisë këdo, pa parë majtas dhe djathtas por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur t’i japësh mundësinë të ushtrohet dhe të gjithë kohën që ndërkohë hetohet dhe gjykohet.

Nuk dua të sjell shembuj nga Europa ku duam të integrohemi, por dua të them që paraburgimi i personave të zgjedhur është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu.

Thënë të gjitha këto, e përsëris që ne nuk kemi asnjë diskutim në domosdoshmërinë për ta vazhduar këtë luftë, luftën kundër korrupsionit.

Sot jemi në kushtet kur gjendemi përpara një çështjeje ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë për korrupsion, por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, është hetuar personi, jeta e një njeriu, e familjes së tij si rezultat i një novele me dhjetëra e dhjetëra faqe anonime të depozituar në shkurt të vitit të kaluar.

Më vjen keq, nuk e pretendoj që në këtë çfarë do them jam neutral apo i pavarur apo i zhveshur nga interesi sepse në fund të fundit, jam udhëheqësi, kam privilegjin të jem udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve dhe e kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, zhvillohet një linçim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit 3 muaj përpara zgjedhjeve.

Nuk po insinuoj asgjë, por po them që për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim përpara të cilit reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk ka një urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror, nuk ka, nuk ka, nuk ka. Ka një hetim për jetën e kryetarit të bashkisë. Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kjo nuk më takon mua ta them, por dyshimi i arsyeshëm është që është jashtë shinave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ne sot vetëm një idiot mund të na thotë që kontrollojmë drejtësinë. Vetëm një i pafytyrë mund të thotë që ne nuk i kemi dhënë drejtësisë të gjithë atë pavarësi që nuk e ka pasur që nga shpallja e pavarësisë të shtetit shqiptar në 1912, por ama nga ana tjetër, krejtësisht të bindur që kjo është rruga e duhur, krejtësisht të bindur që kjo është kthesa e vërtetë historike për Shqipërinë dhe për fëmijët tanë nesër që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe të gjithë të jenë subjekt i drejtësisë kur drejtësia ka të gjithë arsyet të veprojë, sot konstatojmë se jemi në një sfidë të re. Cila është sfida? Sfida është pavarësia e arritur duhet të garantojë dhe të garantohet nga profesionalizmi, nga standardet demokratike dhe nga garancitë për të gjithë liritë dhe të drejtat e kujtdo.

Prezumimi i pafajësisë nuk është një rresht që shkruhet për të larë gojën në fund të një romani akt-akuzë me thuajse 400 faqe, ku faktikisht flitet deri dhe për persona që nuk kanë shfaqur pendesë.

Çfarë prezumimi pafajësie njeh ti, kur thua personi që unë po akuzoj nuk ka shfaqur pendesë? Ku jemi këtu? Nivelin e pendesës apo të jo pendesës mund ta konsiderojë dhe gjykojë vetëm gjykatësi. Nuk ka pendesë që mund të bëhet shkak për të rënduar pozicionin e personit nga ana e atij që akuzon. Po, kjo ka ndodhur, por ka ndodhur në një kohë tjetër, ku hetimet bëheshin me direktiva nga sigurimi i shtetit, atëherë po!  “Pendohu, bashkëpuno, etj për kriminelë ose për njerëz që duheshin nxjerrë patjetër si kriminelë, që nuk kishin diskutim prezumim pafajësie. Për çfarë shkruhet ajo në fund?

Pra jemi në një situatë shumë delikate, jo për ne, në aspektin politik, jo për ne, në aspektin e raportit tonë me drejtësinë dhe e përsëris nuk më takon mua dhe nuk na takon ne dhe nuk kanë për ta dëgjuar njerëzit që ne të themi nëse Erioni është i fajshëm apo i pafajshëm. Kjo është e drejtësisë.

Por që ne do të ngremë shumë pyetje dhe shumë pikëpyetje, jo për këtë rast, por për shumë raste të tjera në vijim, duke e mbështetur drejtësinë, duke mbështetur pavarësinë e saj, por njëkohësisht duke kërkuar të drejta. Në procesin e deritanishëm unë jam dëshmitar, e dini këtë? Jam dëshmitar për intimidim të personave. Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia përpara rënies së regjimit. Jam futur në makinën e policisë, jam çuar në një repart a rajon çfarë ishte se unë si di mirë këto, në mos gaboj aty ku ka qenë Prokuroria e Tiranës, nuk e di nëse është aty akoma dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndieja që po tradhtoja babain. Një njeriu në atë hetim i është përmendur i ati, që është punonjës në shtet duke i thënë: mirë është ta nderosh babain. Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje fare me fajësinë apo pafajësinë e Erionit.

Duke e mbyllur dua të them këtë: që ne kemi lënë një boshllëk në panoramën e zhvillimeve positive, por jo vetëm pozitive dhe jo gjithmonë pozitive të drejtësisë së re, ku kemi ata që veprojnë të mbështetur dhe për këtë sfidoj këdo, këdo, këta që na ngrenë e na ulin rrugëve, se unë i shoh, për mua janë rrugëve. Për mua ajo që ndodh në udhëkryqet e kanaleve të mbrëmjes është rrugaçëri. Është ngritja e llumit të gojës në piedestal.

Është triumfi i shpifjeve dhe i akuzave dhe shkatërrimit të çdolloj personi, për të vetmin faj që bën, që është një person publik. Dhe në ato udhëkryqe, unë i sfidoj të bëjnë, – gjë që ata nuk e bëjnë asnjëherë, – një kërkim dhe ta gjejnë një tjetër forcë politike në Europën ish lindore, në rajon nuk kanë për ta gjetur dot. Ta gjejnë në vende që sot janë në BE, një forcë tjetër politike në pushtet që në 5 vite rresht ka qepur gojën dhe vetëm ka thënë: Ecni përpara, ecni përpara, ecni përpara. Keni mbështetjen tonë.  Godisni majtas, godisni djathtas! Një tjetër forcë politike që ka ndarë në mënyrë vetëmohuese sepse ka marrë kosto shumë të mëdha vetveten nga drejtësia, në kuptimin që “duart larg”. Nuk ka!

Rast i freskët, miku im, jam shumë krenar që e kam mik ish presidenti i Francës hyn, del, dënohet. Hyn, del. Jo hyn del në burg, hyn del nëpër gjyqe, dënohet, shkon në televizion dhe ku i dhëmb dhe ku i djeg prokurorëve dhe gjykatësve. Në Francë! Nuk ka.

Dhe nuk kam asnjë pendese për këtë dhe besoj se s’ka asnjë pendesë për këtë. Por ama, sot jemi në kushtet kur gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste. Dhe në këtë hapësirë janë ata që bërtasin “gijotinë për të gjithë” “Hosana” se nuk ka rëndësi a ka prova a s’ka prova, a është e vërtetë a s’është e vërtetë. Rëndësi ka që çdokush që merret me politikë, çdokush që ekspozon fytyrën e vet, çdokush që i vihet në dispozicion kësaj pune është një kriminel, një hajdut që duhet varur në litar dhe nga ana tjetër janë armiqtë e reformës në drejtësi që çdo ditë, çdo natë sulmojnë prokurorët e SPAK dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale. Këto janë dy ekstreme. Ne nuk mund të jemi as tek njeri as tek tjetri ekstrem dhe ne nuk mund ta lëmë më këtë boshllëk, por duhet të kërkojmë përgjegjshmëri. Jo duke thënë ne se kush është fajtori dhe kush është i pafajshëm, por duke kërkuar përgjegjshmëri.

Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustan dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi te drejtën të kërkojmë prova, prova dhe ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh, gjithsesi për të gjitha këto ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces.

Ua thashë unë jam bërë ndjekës i vëmendshëm i këtij procesi për arsye se jam gjendur krejt pa dashje në kushte që duhet të dëgjoja disa njerëz të artit. Nuk janë fare ata që shikoni nëpër ato listat, kështu që mund ta them se ata janë njerëz të lirë, njerëz të artit që kanë parë picir në hetimet apo intervista apo ca quhen ato me atë prokuror që realisht unë do të doja që të binde këdo me prova, mbase i ka. Po ama i ka apo si ka metoda është e papranueshme. Kryetari i Komisionit të Ligjeve ka kërkuar ose ka kërkuar të dëgjohet nga Grupi Parlamentar. Pse? Për arsyen e thjeshtë se e ka dëgjuar nga televizori, jo nga prokurorët, nga televizori, nga gazetarë special që disponojnë dokumenta që nuk i kanë as të akuzuarit, i disponojnë më shpejt, që është person i dyshuar, kryetari i Komisionit të Ligjeve, jo se kryetari i Komisionit të Ligjeve mund të mos jetë person i dyshuar, por që të jetë një person i dyshuar që e merr vesh nga televizori, që emri i figuron në aktakuzë dhe të mos jetë pyetur asnjëherë. Ej, ça është kjo? Asnjëherë mos të jetë pyetur, mos i jetë dhënë e drejta e fjalës që thotë çfarë mendon apo jo?

Po, këto nuk janë shenja aspak të mira dhe unë dua të shpresoj që këto janë shenja që nuk lidhen me simptomat e një sëmundjeje vetëkënaqësie dhe vetëbesimi dhe dua të besoj që ajo që kam thënë dhe unë qëndroj asaj në aspektin e rrezikut, që kjo nuk është republikë prokurorësh, të mos jetë diçka që tanimë është në materializimin e vet përfundimtar. Sepse do të ishte pastaj autogoli më i madh që në vullnet të mirë, edhe sy mbyllur për të kërkuar më të mirën për ta transformuar këtë vend, duke transformuar drejtësinë, ne do të bënim.

Tirana! Tirana, po ju them vetëm kaq, përpara tre ditësh kam pritur një nga organizatorët më të njohur të eventeve për shkak se kemi nevojë për asistencë për eventet që kemi përpara. Kemi Komunitetin Politik Evropian që vjen në Tiranë, të gjithë udhëheqësit e kontinentit europian nga Londra deri në Baku, nga Oslo deri në Ankara, 47 udhëheqës vijnë në Tiranë për Ditën e Komunitetit Politik Europian. Kemi Samitin e NATO-s. NATO vjen në Tiranë, të gjithë udhëheqësit, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, 5 mijë njerëz. Kemi Kongresin Botëror të Ligjit që vjen në Tiranë, mijëra njerëz dhe patjetër që kemi të domosdoshme që të organizojmë si duhet.

Unë po ju them që erdhi një moment që më vinte zor të dëgjoja çfarë thoshte ai. Një njeri që hyn tek një grup i vogël njerëzish që kanë kompanitë e mëdha, që organizojnë evente kudo në botë për Tiranën. I befasuar si fëmijë, nuk e kishte pasur idenë fare dhe kjo më kthehu dhe siç më kthen çdo herë që unë dëgjoj dikë që të flasin kështu, tek takimi im i parë me një gazetare të huaj, një gazetare italiane që erdhi këtu, unë isha ministër Kulture dhe më tha: Më vjen shumë keq, këtu nuk ka asnjë mundësi të bësh një fotografi që ta nxjerrësh për t’i thënë njerëzve, shiko sa bukur, po qe se e zbret aparatin poshtë malit dhe kap çfarëdo qoftë në qytet.

Kjo ka qenë Tirana, kjo ka qenë Tirana dhe sot Tirana është në një proces që po bëhet dhe do të jetë diçka e jashtëzakonshme kur të përfundojnë projektet, por për këtë na duhet të punojmë shumë fort. Edhe unë kam pas një takim, dy, tre takime brenda 24 orësh, me drejtuesit e nën drejtuar të bashkisë, edhe ju kam thënë që këtu nuk duhet të ndalet kontrata me qytetarët. Tirana duhet të shkëlqejë!

Unë kam shumë besim që me vajzat dhe me djemtë jam dakord me profesor Pllumin, që janë aty sot, dje ata pak që takova, ato dhe ata pak që takova, i kishin sytë pak përhumbur, sot i shkëlqenin. Sot ata më shumë që takova, sytë nuk i kishin me shkëlqimin e plotë, jam i bindur që nesër në mëngjes të gjithë do të shkëlqejnë sytë dhe të gjithë do të bëjnë gjënë e duhur, sepse përveç të tjerave, unë besoj që pavarësisht se roli i drejtuesit është i pazëvendësueshëm, Tirana është një mekanizëm, është një institucion që është në gjendje të bëj në mënyrë automatike një pjesë të rëndësishme të punës.

Kjo do të ishte e paimagjinueshme në atë kohën kur s’kishte asnjë fotografi, do të ishte e paimagjinueshme. Kur kam hyrë për herë të parë në Bashkinë e Tiranës sot m’u kujtua, dje m’u kujtua kur hyra nuk dukej fundi i korridorit nga ana tjetër, se kishte vetëm tym cigare, nuk dukej, dëgjohej vetëm zhurma në atë tym ishte si ato filmat e Sorentinos, ku po të qëndrosh pak shef tymin, dëgjon zhurma dhe pastaj të dalin tre veta gjysmë nudo, gjysmë se nudo komplet vetëm unë kam dalë. Kështu që nuk po zgjatem më. U zgjata më shumë se sa ç’duhet. Si gjithmonë është kënaqësi për mua të jem këtu, nuk ishte e planifikuar edhe ju thashë edhe nënkryetarëve të bashkisë, unë kryetar bashkie kam qenë mbase jo aq i zoti sa kryetari juaj, por gjithsesi sot që Tirana dhe Shqipëria ma kanë marrë gjithë pigmentin e flokëve dhe të gjithë këtyre çfarë quhen, diçka kam edhe unë që mund të bëj në mbështetje të tyre. Kështu që, do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them Kjo nuk është mirë, kjo është mirë, si gjithmonë, dhe pastaj, së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës në 11 maj kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erion Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë një mavi flakëritëse cep e më cep, në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër.

Patjetër që vetvetiu, falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë duhet të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës dhe nuk diskutohet që në 11 maj ne, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve.

Faleminderit!

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA