Një numër i madh i artistëve dhe njerëzve publikë i kanë dalë në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit.
Balerini i njohur Ilir Shaqiri që ka shprehur mbështetjen për kryebashkiakun Erion Veliaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shaqiri i kërkon kryebashkiakut Veliaj që të mos dorëzohet, pasi e ka transformuar Tiranën.
“E transformove Tiranën nga një hale në kryeqytet. Never give up Lal”, shkruan Shaqiri.
Këngëtari dhe producenti i njohur Ardit Çuni në një mesazh në rrjete sociale, shprehet se Veliaj në këto 10 vite ke transformuar Tiranën në një qytet më të bukur, më modern dhe më të gjallë.
“Lali në këto 10 vite ke transformuar Tiranën në një qytet më të bukur, më modern dhe më të gjallë. Ke mbështetur artistët, të rinjtë dhe çdo nismë që ka sjellë pozitivitet në këtë qytet. Qëndro i fortë, sepse e vërteta gjithmonë del në dritë. Ke mbështetjen e gjithë atyre që e duan Tiranën dhe që e vlerësojnë punën tënde”, thekson Ardit Çuni.
Aktorja e njohur Monika Lubonja shkruan: Për punën që ka bërë dhe për të gjithë njerëzit që ka ndihmuar në momente më të vështira, për të gjithë të rinjtë që i mbështeti me projekte artistike, ti ke vënë një gur të madh në mendjen dhe zemrat e atyre që të janë mirënjohës”.
Dy këngëtare të njohura të skenës shqiptare, Jonida Maliqi dhe Anxhela Peristeri, kanë shprehur po ashtu publikisht mbështetjen e tyre për Veliaj nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
Jonida Maliqi, ka shpërndarë një mesazh të drejtpërdrejtë për Veliajn: “Forca Lali, të kemi xhan!”
Ndërsa Anxhela Peristeri, shkruan: “Qëndro i fortë Lali. Ne që të njohim vërtet, e dimë çfarë njeriu je dhe sa ke bërë për Tiranën.”
Atletja kampione Luiza Gega shkruan: “U kujtove për sportin që gjithmonë ka qenë i harruar.”
Aktori i njohur Artan Imami përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau reflektimet e tij në ditëlindjen e Tiranës, e cila përkon edhe me ditëlindjen e tij personale, duke theksuar se çdo vit qyteti ka gjithnjë e më shumë arsye për të festuar.
Postimi i plotë:
11 shkurti është ditëlindja e Tiranës e rastësisht edhe e imja personale. Me këtë rast sot më erdhi një ftesë nga Bashkia që të jem i pranishëm në ceremoninë festive që do mbahet në Pallatin e Brigadave. Bile organizatorët kishin menduar e më kishin nderuar që edhe unë të thosha timen me këtë rast. Duke lexuar ftesën, që më gjeti për arsye pune në Romë (Itali), i shtova monologut tim, nxitur e nisur nga ngjarja e djeshme, edhe mendimin se në këtë festë nuk do të mund të dëgjoja dhe duartrokisja fjalimin e Qytetarit të Parë të kryeqytetit, mikut tim dhe tonin, Z. Erion Veliaj!
Që Tirana, në çdo vit që kalon, ka më shumë arsye për të festuar, kjo edhe në sajë të punës këmbëngulëse, ndërtuese, frymëzuese pozitive të Kryetarit të Bashkisë. Nëse Tirana sot është vendosur në hartën europiane e nëse ajo popullohet çdo vit e më shumë nga miliona turistë, padyshim një meritë të pazëvendësueshme ka ekipi i Bashkisë e Kryetari i saj! Unë, si pjesë e mijëra të tjerëve në fushën e artit e kulturës, as në ëndrrat tona më të mira nuk do e kishim menduar që dyert e Bashkisë do të ishin dyert e shtëpisë sonë.
Vetëm për këtë e sigurisht jo vetëm, i them Kryetarit, faleminderit! Gëzuar Festën!
Po ashtu edhe reperi i njohur Noizy i ka dhënë një mesazh mbështetjeje të drejtpërdrejtë kryebashkiakut Erion Veliaj pas zhvillimeve të fundit.
“Stay strong champ, të gjithë e dinë sa njerëz ke ndihmuar, çfarë zemre ke dhe çfarë ke bërë për Tiranën që të gjithë ne e gëzojmë sot pa dallime partiake”, shkruan Noizy.
Edhe modelja Afërdita Dreshaj, ka shpërndarë një mesazh mbështetje për Veliajn në rrjetet sociale: “Forca Lali!!!”.
Top Channel