![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/05/spak_sd-800x450.jpg)
Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në luftën ndaj korrupsionit, përgjatë vitit 2024.
Në raportin e Transparency International për vitin që lamë pas, Shqipëria rezulton me një rritje prej 5 pikësh, krahasuar me 2023-shin. Në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, vendi ynë numëron 42 pikë në total, nga 100 që janë pikët maksimale.
Në raport, Transparency International vë theksin te aksionet e Prokurorisë së Posaçme në nivele të larta të politikës. “Prokuroria dhe gjykata e specializuar kundër korrupsionit kanë dënuar ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë, një proces që ka ndihmuar institucionet e drejtësisë të fitojnë besimin e qytetarëve”, thuhet në raport.
Përmirësim në luftën ndaj korrupsionit ka shënuar edhe Kosova, vëren raporti i Transparency International për vitin 2024. Kosova është rritur me 3 pikë, duke u vlerësuar për 2024-ën me një total prej 44 pikësh, nga 41 që kishte vitin paraardhës.
Në nivel global, raporti i Transparency International vëren se korrupsioni mbetet i lartë, ku dy të tretat e vendeve janë me rezultate të dobëta.
Indeksi i perceptimit të korrupsionit i Transparency International 2024 zbulon se ryshfeti dhe abuzimi me pushtetin pengojnë masivisht mbrojtjen e klimës në shumë vende. “Në sfondin e ngrohjes globale rekord, erozionit të demokracisë dhe tërheqjes nga mbrojtja globale e klimës bota qëndron e vënë me shpinë pas muri. Duhet urgjentisht ta luftojmë korrupsionin në rrënjë, përpara se ai të shkatërrojë plotësisht masat e rëndësishme për mbrojtjen e klimës”, thotë studimi.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit mat perceptimin e korrupsionit të sektorit publik, sipas ekspertëve dhe biznesmenëve. Rezultati i çdo vendi është një kombinim i të paktën 3 burimeve të të dhënave të nxjerra nga 13 sondazhe dhe vlerësime të ndryshme.
Top Channel