![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/cc728296-84d3-4313-65b5-08dd3ac790b0_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
28 subjekte politike me 1.280 kandidatë konkurrojnë sot për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëset në parlamentin 120 vendesh të Kosovës në zgjedhjet e sotme parlamentare.
Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike.
Procesi i votimit është mbyllur në 19:00. 940 qendra votimi ishin të hapura që prej orës shtatë të mëngjesit, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ishin vëzhgues. Zgjedhjet e së dielës janë të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Vijon numërimi i kutive të qendrave të votimit, ndërsa kanë dalë edhe rezultatet e para të exit poll-eve.
Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.
Kandidatët për kryeministër janë: Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosja VV; Lumir Abdixhiku – Lidhja Demokratike e Kosovës LDK; Bedri Hamza – I kandiduar nga Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Ramush Haradinaj – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK.
Top Channel po ndjek pas hapi procesin e zgjedhjeve, ndërsa në terren ndodhen gazetarët Muhamed Veliu, Kristi Gongo, Leonita Bajrami dhe Bekim Lekica.
20:11 Mbyllet votimi, Haradinaj: Opozita fitoi zgjedhjet, mund të bëhet shumicë solide për qeveri
Opozita i fitoi zgjedhjet, tha kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, në një konferencë për mediat pas mbylljes së qendrave të votimit. Haradinaj, tha se kanë informacione se rezultati i AAK-së është dy-shifror, rrjedhimisht mbi 10%.
20:04 Zgjedhjet në Kosovë! Procesohen 90% e qendrave të votimit, KQZ tregon numrin e personave që votuan
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 90 për qind të vendvotimeve apo 2286 nga 2533. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të KQZ-së, nga 1 milion e 970 mijë e 944 persona me të drejtë vote, kanë votuar 786 mijë e 462 qytetarë apo 39.90 për qind. Ndërkohë tashmë ka nisur edhe numërimi i votave.
Tri Exit Pollet e publikuara deri më tani nga mediat e Kosovës rreth rezultateve të zgjedhjeve parlamentare e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje 40 për qind,
Mbyllet votimi në Kosovë, teksa menjëherë më pas kanë nisur të dalin edhe exit poll e para. Sipas Exit Poll-it të mediave në Kosovë, në përqindje Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 40.3%, PDK-ja 21.4%, LDK-19.3 , ndërsa AAK-ja 7.2.
19:03 Zgjedhjet parlamentare/ Përfundon procesi i votimit në Kosovë, i qetë dhe pa incidente të mëdha
Në ora 19:00, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Kosovën, duke përmbyllur procesin zgjedhor. Qytetarët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre gjatë orëve të votimit, ndërsa tani komisionet zgjedhore do të nisin procesin e numërimit të votave.
19:00 Zgjedhjet në Kosovë/ DnV: Deri në orën 17:00 kanë votuar 38.9% e qytetarëve
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se 38.9% e votuesve me të drejtë vote kanë dalë për të votuar deri në orën 17:00 në Kosovë. Eugen Cakolli nga kjo organizatë tha se rajoni i Prishtinës, ai me shumicë serbe dhe rajoni i Ferizajt kanë pasë përqindjen më të madhe në raport me rajonet tjera.
18:38 Zgjedhjet në Kosovë, arrestohen gjashtë persona
Në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor. Prokurorja Laura Pula ka deklaruar se në të gjitha komunat e Kosovës janë angazhuar deri në 100 prokurorë për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbrojtjen e votës.
18:21 Kandidati i Listës Serbe thyen heshtjen zgjedhore, jep sugjerime se cilët numra duhen votuar
Kandidati i Listës Serbe për deputet, Milan Kostiç nuk ka respektuar heshtjen zgjedhore, duke e thyer atë. Kostiç ka publikuar një thirrje për të votuar partinë e tij, e përveç kësaj ai u ka sugjeruar serbëve edhe numrat e kandidatëve për të cilët duhet të votojnë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë votuar këtë të diel. Ai thekson se dy orët që kanë mbetur janë vendimtare për katër vitet e ardhshme në Kosovë.
17:17 Fotografoi votën, dërgohet në komisariat një person në Zveçan
Mbi gjysmë milioni qytetarë me të drejt vote, tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre dhe kanë votuar. Ndonëse procesi është duke shkuar pa ndonjë incident të madh, një rast i fotografimit të votës është raportuar në Zveçan.
16:45 Zgjedhjet në Kosovë/ Më pak se në vitin 2021, KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar 558,246 qytetarë
Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi, tha para mediave se deri në orën15:00, dalja e qytetarëve në votime është 28.32%. “Procesi po vazhdon pa probleme. Deri në ora 15;00 kanë votuar 558,246 qytetarë, apo 28.32%”, tha ai. Gjithashtu, ai tha se në vitin 2021, deri në ora 15:00 kishin votuar 32% e votuesve, apo 567,934 votues.
16:33 Situata e pazakontë në Malishevë, 26 anëtarët e një familjeje shkojnë së bashku të votojnë
Një situatë e rrallë ka ndodhur në Malishevë gjatë procesit të votimit. 26 anëtarë të një familje kanë shkuar të votojnë së bashku në njërën prej qendrave të votimit në Malishevë. “Jemi nga Malisheva, jemi 26 anëtarë në familje”, thotë njëri prej anëtarëve.
16:09 Ndodh edhe kështu, qendra e votimit në Zubin Potok ngel pa fletëvotimi
Qendra për votim me kusht në komunën e Zubin Potokut ka mbetur pa fletëvotime pasdite. Qytetarët që prisnin për të votuar u informuan nga punonjësit se nuk do të mund të votonin më në këtë qendër të votimit me kusht.
15:38 Kosovë, simbolet e fushatës/ Eksperti: Shenjë paralajmëruese për Perëndimin
Edhe pse Kosova vetë është një vend i vogël, zgjedhjet parlamentare të saj, për historianin Konrad Clewing, kanë potencialin të kenë pasoja të mëdha në të gjithë Ballkanin, madje edhe ndërkombëtare.
Top Channel