Protestë për gjuhën shqipe në Maqedoni e Veriut/ Studentët demonstrojnë të hënën, duan të hapin provimet në shqip

04/04/2026 15:07

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar në 6 prill një protestë masive, e nxitur prej faktit që nuk u lejohet ta mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.

Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse shqipja ka ligjërisht status zyrtar.

Argumenti i studentëve është se kjo situatë krijon një pengesë për ta dhe shumë pabarazi, pasi kufizon mundësitë e tyre profesionale dhe ndikon drejtpërdrejtë në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit fqinj.

Kërkesat e tyre janë që provimi të zhvillohet plotësisht në shqip, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe zbatim real të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj.

Iniciatori i protestës, Mevlan Ademi, u shpreh: “I ftojë të gjithë të vijnë, kemi kauzë që duhet të na bashkojë jo të na përçaje…”.

Ademi përcolli një falënderim të veçantë edhe për ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke vlerësuar angazhimin e tij institucional.

Protestën e studentëve e ka mbështetur edhe nënkryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, i cili përkrahu hapur aksionin e paralajmëruar të tyre të hënën në 6 prill, duke e cilësuar një reagim të drejtë ndaj kërkesave legjitime.

Top Channel