![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-08-at-20.21.23-800x450.jpeg)
Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe u është bashkuar protestuesve para Kryeministrisë.
Ish-kryeministri marshoi nga selia e PD drejt Kryeministrisë, ndërsa shoqërohej nga deputetët Luçiano Boçi dhe Flamur Noka.
Gjatë fjalës së tij ai u shpreh: Ne jemi e vetmja forcë politike që përmbysëm dy diktatura, atë të Enverit dhe bastardit komunist. Rroftë PD. Miqtë e mi, përsëri krimi është kundër nesh, prokuroria politike dhe gjykata e narkoshtetit janë kundër nesh, por ne përsëri jemi të pamposhtur dhe qëndrojmë si mur në fitoren tonë”, tha Berisha.
“Miqtë e mi, dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet”, tha Berisha.
“Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës. Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët.
Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera”, shtoi ai.
1300 forca policore janë në gatishmëri këtë të shtunë në Tiranë për protestën e opozitës. 865 janë policë të Tiranës, kurse të tjerët janë nga rrethet.
Instalacioni i kërpudhës para Kryeministrisë është hequr, nisur nga incidentet e protestave të mëparshme.
Policia e Shtetit ka bllokuar disa rrugë në kryeqytet pasi PD njoftoi tri orë protestë.
Prej orës 10:00 nuk lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
Prej orës 14:00 deri në përfundim të tubimit ka bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin në rrugë alternative.
Top Channel