![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/kkk_sd-2-800x450.jpg)
Kuvendi pritet që gjatë muajit shkurt të plotësojë vakancat në drejtimin e institucioneve të pavarura, vakanca që në disa raste janë zvarritur prej vitesh, siç është zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Sipas kalendarit të ri të punës të miratuar në Konferencën e Kryetarëve në 13 shkurt pritet të futet në votim projektvendimi “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, një proces që ka nisur në mars të vitit 2022 dhe mbahet peng i mungesës së konsensusit politik mes palëve.
Në seancën e 27 shkurtit do të votohet për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mandati i të cilit ka përfunduar prej afro 2 vitesh si dhe për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Për detyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë në garë komisioneri aktual Robert Gajda, që mban këtë detyrë prej prillit 2018 , ish-kryetarja e KQZ-së Lefterije Luzi dhe avokati Endri Papajorgji.
Sipas parashikimeve ligjore zgjedhja e komisionerit të ri bëhet me votim të thjeshtë të shumicës së anëtarëve të Kuvendit.
E vështirë duket zgjedhja e Avokatit të Popullit, nëse nuk do të ketë një marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës, për shkak të shumicës së cilësuar që kërkohet në votim dhe një tradite politike të vendosur në parlament, që kandidati të vijë si propozim i opozitës.
Votimi për Avokatin e ri të Popullit do të bëhet për herë të dytë ndërsa procesi dështoi në votimin e parë kur mazhoranca rrëzoi me votë në seancë emrat e mbështetur nga opozita.
Gara ka nisur me 15 kandidatë që plotësuan kriteret ligjore, por në seancë plenare mund të votohen vetëm ata kandidatë që kanë mbledhur firmat e jo më pak se 28 deputetëve.
Kandidatët që kanë plotësuar këtë kriter prej një viti janë shtatë: Vitore Tusha, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Bledar Dervishaj, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.
Dy prej kandidatëve, Vitore Tusha dhe Tartar Bazaj vijnë nga një karrierë në sistemin e drejtësisë, ndërsa kandidatët e tjerë vijnë nga avokatia.
Sipas rregullores së Kuvendit, kandidaturat për vakancat në institucionet e pavarura dhe ato të krijuara me ligj duhet të propozohen deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të institucionit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit, por Kuvendi në vijimësi ka dështuar t’i plotësojë këto afate./ Reporter.al
Top Channel