Prokuroria e Posaçme SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, dhe dy ish-ish-drejtorët Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se ish-kryebashkiaku Goro dhe vartësit e tij kanë shpërdoruar detyrën në të paktën dy raste, në dëm të disa shtetasve të Bashkisë Himarë.

“Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-Kryetarit të Bashkisë Himarë ka kryer veprime që përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”,  në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Po ashtu, SPAK thekson se ish-kryebashkiaku Goro dhe dy ish-drejtorët e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë kanë shkelur ligjin edhe “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”.

Sipas dosjes së SPAK, Goro, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, pa bërë asnjë verifikim konkret, sipas asaj që parashikon ligji, ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara, duke bërë të mundur më tej regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 metra katrorë tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Gjithashtu, Goro dyshohet se ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqeje toke bujqësore, prej 5080 metra katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësinë e shtetit.

-Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq në ngarkim të:

Jorgo Goro, ish- Kryetari i Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Vasillaq Strakosha, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer ne bashkëpunim  parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal (sipas fakteve penal të  procedimin penal  nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024.

Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, me shumë se nje here e kryer ne bashkepunim  parashikuar nga neni 248  dhe 25  i K.Penal. (sipas fakteve penal të  procedimin penal  nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA