![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-07T151308.329-800x450.jpg)
Dy persona kanë mashtruar një biznesmen duke iu prezantuar si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e një rasti të përfitimit të një shume parash, me anë të mashtrimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Unknown”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi E. B., 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. M., 32 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar 6000 euro nga një biznesmen, duke iu prezantuar atij si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M. dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel