Panamaja hodhi poshtë një pretendim të bërë nga Departamenti i Shtetit të mërkurën se ky vend i Amerikës Qendrore kishte rënë dakord të mos tarifonte më anijet e qeverisë amerikane për kalimin në kanalin e tij të famshëm.
“Në përgjigje të një publikimi të lëshuar nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Autoriteti i Kanalit të Panamasë, i cili është i autorizuar të vendosë tarifat dhe pagesat e tjera për kalimin në Kanal, njofton se nuk ka bërë asnjë rregullim në to,” tha autoriteti në një deklaratë, duke shtuar se është i gatshëm të vendosë një dialog me SHBA-në.
Deklarata e Panamasë kundërshtoi drejtpërdrejt pretendimin e Departamentit të Shtetit të bërë më herët gjatë mbrëmjes.
“Anijet e qeverisë amerikane tani mund të kalojnë nëpër Kanalin e Panamasë pa tarifa, duke kursyer qeverisë amerikane miliona dollarë në vit,” tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të postuar në X, krahas një imazhi të një anijeje luftarake që hynte në Kanal.
Gjatë 26 viteve të fundit, SHBA-ja ka paguar një total prej 25.4 milionë dollarësh për kalimin e anijeve luftarake dhe nëndetëseve, ekuivalente me më pak se një milion dollarë në vit, sipas një deklarate nga ambasada e Panamasë në Kubë.
CNN ka kontaktuar Departamentin e Shtetit për komente.
Deklarata e Panamasë erdhi vetëm disa ditë pasi Presidenti Donald Trump përsëriti premtimin e tij për të “marrë përsëri” Kanalin, duke paralajmëruar për një veprim “të fuqishëm” të SHBA-së në një përshkallëzim të mosmarrëveshjeve diplomatike me vendin e Amerikës Qendrore mbi praninë e Kinës rreth këtij kalimi jetik.
“Kina po drejton Kanalin e Panamasë, i cili nuk iu dha Kinës, por iu dha Panamasë në mënyrë të pamenduar, dhe ata shkelën marrëveshjen, prandaj ne do ta marrim përsëri, ose diçka shumë e fuqishme do të ndodhë,” u tha Trump gazetarëve të dielën.
Disa orë më parë, trazira diplomatike e shkaktuar nga dëshira e përsëritur dhe publike e Trump-it për ta rimarrë kontrollin e kanalit nga SHBA-ja dukej se ishte qetësuar pasi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si kryediplomat i SHBA-së, u takua me Presidentin e Panamasë, Raúl Mulino.
Megjithëse Mulino i tha Rubio-s se sovraniteti i Panamasë mbi kanalin nuk ishte i diskutueshëm, ai gjithashtu tha se kishte adresuar shqetësimet e Uashingtonit mbi ndikimin e supozuar të Pekinit.
Mulino njoftoi se Panama nuk do të rinovonte një memorandum mirëkuptimi të vitit 2017 për t’u bashkuar me iniciativën kineze të zhvillimit jashtë vendit, të njohur si “Një Brez, Një Rrugë”, duke sugjeruar gjithashtu se marrëveshja me Pekinin mund të përfundojë më herët.
Kanali iu kthye Panamasë sipas një traktati të vitit 1977, i cili lejon SHBA-në të ndërhyjë ushtarakisht nëse operacionet e kanalit pengohen nga konflikti i brendshëm ose nga një fuqi e huaj. Sot, më shumë mallra kalojnë përmes kanalit sesa gjatë viteve të kontrollit amerikan.
Që nga viti 2000, kanali është operuar nga Autoriteti i Kanalit të Panamasë, administratori, zëvendës administratori dhe bordi me 11 anëtarë të të cilit përzgjidhen nga qeveria e Panamasë, por operojnë në mënyrë të pavarur.
Top Channel