![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/djkfsdfausdgfiusdfiuasdf-800x450.png)
Në pjesën e parë dhe të dytë trajtuam raste flagrante të të miturve që kanë rënë viktima të dhunës dhe papërgjegjshmërisë së të rriturve.
Tani, do të fokusohemi në një ngjarje e cila mbart ende plot mister, e investiguar gjerësisht nga Inside Story dhe Top Channel edhe më herët. Do të mundohemi të hedhim dritë mbi rastin e fëmijës 1-vjeçar të diagnostikuar me HIV AIDS pas lindjes në maternitetin “Nëna Geraldinë” dhe qëndrimit në disa ambiente të ndryshme të spitalit QSUT, ku mendohet se ka marrë virusin nga neglizhenca e stafit.
Ne i jemi rikthyer sërish investigimit të kësaj çështje si mesazh i qartë se si drejtësia dhe shoqëria harrojnë kur kalon koha. Por, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur 3 vite pas zbulimit të këtij skandali, do të sjellim të detajuar se si nisi problemi për të kuptuar se ku u infektua fëmija.
Beteja mjekësore ka qenë e para, pasi shëndeti i fëmijës së vogël ishte kryesori. Megjithatë, familja e vogëlushit është e vendosur që ti shkojë deri në fund kësaj çështje dhe të vendosë drejtësi. Duke qenë të dy prindërit negativë, gishti për infektimin e fëmijës drejtohet nga spitali.
Nisur nga situata të tilla, familjarët kanë paraqitur me datë 27 qershor 2022 kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për infektimin e fëmijës së tyre të mitur me HIV në ambientet e spitalit.
Prindërit kallëzuan personelin përgjegjës të Ministrisë së Shëndetësisë, stafin e maternitetit Mbretëreshë Geraldina, Spitalin pediatrik pranë QSUT-ës për shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore dhe zvarritje të procesit.
Në fakt, një kallëzim i tillë nuk duhet të ishte bërë, pasi në kushtet e një sistemi normal, Ministria e Shëndetësisë duhet të ishte po aq e interesuar për të zbuluar shkakun e këtij skandali kaq të madh. Një histori e përsëritur ndër vite që në rastet e tjera, janë mbyllur gojët dhe hetimet.
Por, çfarë ndodhi me hetimin e rastit dhe a e mori seriozisht Prokuroria e Tiranës diçka të tillë?
“Prokuroria e Tiranës nuk e pranoi kallëzimin dhe nuk hapi çështje fare për të hetuar mjekët, apo spitalin për një rast të tillë” u shpreh babai i fëmijës së infektuar
Inside Story ka parë me kujdes vendimin e mos fillimit të hetimit. Organi i akuzës thotë se mungojnë provat apo indiciet e nevojshme për të vërtetuar pretendimet e kallëzuesve, pra prindërve.
Nisur nga përmbajtja e kallëzimit dhe akteve shoqëruese mungojnë provat apo indiciet e nevojshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm sa i përket pretendimit të kallëzuesve për kryerjen e veprës penale. Nuk rezulton se nga ana e të kallëzuarve të jenë kryer veprime të caktuara të cilat përfshihen në veprën penale Shpërdorim Detyre. Prandaj duhet të vendoset mos fillim.
Në fakt, provat i siguron organi I akuzës që do të duhet ti shkonte deri në fund hetimit për të zbuluar thelbin: si u infektua fëmija. Ky virus, nuk transmetohet në asnjë rast përmes ajrit, por përmes pajisjeve mjekësorë të pa-sterilizuara, shiringave që mund të jenë përdorur më herët, transfuzionit të gjakut etj. Fëmija kaloi mjaft kohë në spital dhe atje duhet kërkuar e vërteta.
Shkurt e saktë, Prokuroria e Tiranës kërkoi varrosjen e këtij rasti dhe shuarjen e zhurmës. Dhembshuria në këtë rast me fëmijën e prekur që do të vuajë pasojat gjithë jetën nga neglizhenca e stafit mjekësor shumëzohet me zero.
Prindërit e djalit nuk e lanë me kaq, por ankimuan vendimin në Gjykatën e Apelit të Tiranës, e cila doli krejtësisht kundër Prokurorisë. Madje, me një mënyrë argumentimi të ashpër dhe mjaft shteruese kundër punës së dobët të këtij institucioni.
Në fakt, Gjykata e Apelit vendosi theksin te pika e vërtetë e diskutimit, mungesa e dëshirës për të hetuar dhe për tu thelluar në një rast të tillë. Prokuroria nuk kishte vullnet për të zbuluar të vërtetën.
Vendimi për mos fillimin e procedimit penal nga ana e Prokurorisë së Tiranës nuk është i bazuar në ligj edhe për shkak se në rastin objekt shqyrtimi, Prokurori nuk ka kryer asnjë verifikim në lidhje me pretendimet e ankuesve, nuk janë administruar asnjë nga aktet shkresore, akte këto që mund të ishin sqaruese të situatës faktike e ligjore të pretenduar nga ankuesit.
Pra, gjykata e thotë hapur dhe pa asnjë dyshim: Prokuroria nuk ka hetuar. Nuk ka bërë asnjë përpjekje të zbulojë se si u infektua fëmija pasi kaloi një kohë të gjatë në spital.
Madje, organi i akuzës, me një qëndrim të pakuptimtë ka ankimuar sërish vendimin e Gjykatës së Apelit. Ky institucion ka argumentuar se edhe nëse do të kryheshin të gjitha detyrat që i la kjo gjykatë nuk do të sillte asgjë të re në hetim. Një qëndrim mjaft paragjykues dhe I padenjë për një institucion serioz.
Gjykata e Apelit nuk e mori për bazë ankimimin e Prokurorisë së Tiranës, që duket se nuk është aspak e interesuar për të ndihmuar familjen për të gjetur drejtësi për djalin e tyre. Gjykata kërkoi sërish hetimin e çështjes.
“Djali im po vuan pasojat e mjekësve shqiptare, nuk ka mjekësi, atje te shohin vetëm për zhvatje. E them me keqardhje por është e vërteta diçka e tille” u shpreh babai i fëmijës së infektuar
Top Channel