“Tkurrje e administratës prej ndjenjës së pasigurisë”, Rama: Duhet ta adresojmë! Gjermanët s’e kanë në ADN që s’janë të pakorruptueshëm, ata…

04/02/2025 13:11

Sot u prezantua raporti monitorues i OECD/SIGMA për Shqipërinë për vitin 2024, në eventin “Transformimi i Shërbimit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri”, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Eventi ishte bashkëorganizim i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe OECD/SIGMA, një partner i rëndësishëm i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, për avancimin e Reformës së Administratës Publike, në kuadër të integrimit evropian.

Për këtë vlerësim periodik, strukturat e qeverisjes qendrore në vend u angazhuan në periudhën shkurt-tetor 2024, nën drejtimin e procesit nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke mundësuar që Shqipëria të jetë lidere e rajonit mesatarisht për të gjithë indikatorët e marrë në vlerësim sipas 6 fushave: Strategjia; Zhvillimi dhe koordinimi i politikave; Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; Organizimi, llogaridhënia dhe mbikëqyrja; Ofrimi i shërbimeve dhe digjitalizimi; Menaxhimi i financave publike.

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Më lejoni ta nis këtë fjalë me një shënim këtu nga një shprehje e njërit prej etërve themelues të SHBA Benjamin Franklin, në një letër drejtuar mikut të tij në vitin 1772, “në kursin e jetës publike nuk duhet të presim miratim apo mirënjohje të menjëhershme për shërbimet tona, por kënaqësia e një ndërgjegjeje të qetë është e mjaftueshme dhe koha do të bëjë drejtësi në mendjen e njerëzve, madje dhe të atyre që janë paragjykues ndaj nesh.

Besoj që nuk është nevoja që të thuhet që në kohën kur Benjamin Franklin  i shkruante këto fjalë nuk ekzistonin rrjetet sociale dhe bota nuk ishte e zhytur në vorbullën e përminutshme të paragjykimeve dhe të perceptimeve të krijuara mbi gjysmë të vërteta dhe këtu do ta ndërpres fjalën time të shkruar sepse dëshiroj të reflektoj  pak mbi çfarë tha zoti Gregor Virant, të cilin e falënderoj për praninë e tij dhe për fjalët dhe jo për formalizëm, por realisht për të gjithë atë çka ne, na jep ky proces në aspektin e dijes, dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen time SIGMES dhe të gjithë atyre brenda kësaj organizate që punuan dhe punojnë me të dhënat dhe me faktet e Ballkanit  Perëndimor.

Është pa diskutim një burim i pazëvendësueshëm dijeje dhe sigurisht që, nga njëra anë, është pa diskutim shumë inkurajuese që nga ky burim i padyshimtë për objektivitetin dhe për profesionalizmin ne të marrim vlerësime kaq pozitive, por është nga ana tjetër, pa diskutim dhe shumë nxitëse që po nga ky burim, ne të marrim dhe dije mbi çfarë mbetet për t’u përmirësuar dhe për t’u adresuar sepse ngritja e një administrate publike të denjë për familjen e Evropës së bashkuara nuk është fjalë goje, është një ushtrim jashtëzakonisht kompleks dhe faktikisht unë besoj që të qenit në mes të Evropës dhe të pasurit të bekimit të të qenit evropian, me mundësinë për t’u bërë pjesë e BE, është një e dhënë që garanton optimizmin për të ardhmen, një optimizëm të cilin zor se ua garanton dot diçka apo dikush vendeve me një të kaluar të ngjashme si e jona apo vende me një tashme të ngjashme si e kaluara jonë që nuk janë kontinentin evropian.

BE dhe mekanizmat e tij janë e vetmja forcë lëvizëse në këtë botë që mund t’i japin një vendi si i yni, me një traditë shumë të varfër në aspektin e institucioneve, me një traditë shumë të varfër për të mos thënë inekzistente në aspektin e administratës, instrumentet për të realizuar këtë mision dhe mbajta shënim një pikë që zoti Virant e theksoi, kur foli për përplasjen midis legjislacionit që është një adoptim i legjislacionit evropian dhe kulturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila është një kulturë, jo fort e gatshme sot për t’iu përgjigjur legjislacionit me vënien në jetë, në jetën e përditshme të të gjitha aspekteve të atij legjislacioni.

Unë do të shkoja pak më thellë në këtë, sepse kur flasim për kulturën në këtë aspekt, besoj që thelbi është tek institucionet, tek kultura e institucioneve, jo tek kultura e personave dhe duke na munguar kultura e institucioneve, ashtu e shtresëzuar në shekuj, siç është në vende të tjera që sot e udhëheqin BE, siç është Gjermania apo në Francë apo në plot vende të tjera që të mos u mbesë hatri askujt, ne kemi një hendek shumë më të madh për të mbushur.

Këtu vijmë tek BE, këtu vijmë te SIGMA, vijmë të tek gjithë instrumentet e tjerë dhe vijmë tek edukimi institucional, i cili në këtë periudhë besoj që është vënë më shumë në qendër të vëmendjes se çka qenë më parë, por duhet ende më shumë, vijmë tek informimi i të gjithë aktorëve, qoftë aktorëve institucionale, qoftë aktorëve të sipërmarrjes, qoftë të qytetarëve që është prapë një element, ku ne kemi nevojë të bëjmë shumë më tepër, dhe sigurisht dhe tek vullneti politik.

Por, nga ana tjetër, të gjitha këto janë me shumë shpresë për faktin se është presioni i dyfishtë, presioni i publikut që është në Shqipëri, publiku më proeuropian dhe presioni i BE për të marrë prej nesh provën e përmbushjes së të gjitha kritereve.

Unë besoj që ne jemi në një pozicion që shumëkush do të donte të ishte nga vendet e tjera të rajonit sepse duke pasur popullin më pro europian, më pro BE, kemi një bazë shumë të fortë që bën që të gjitha reformat dhe të gjitha përpjekjet që na çojnë në drejtim të BE, të kenë mbështetjen e domosdoshme pa të cilën është shumë e vështirë, që të ndërmerren dhe të zbatohen reformat. Nga ana tjetër, nuk mund të rri dot pa e falënderuar ose më saktë pa iu bashkuar zotit Virant në vlerësimin për Ministren tonë të Shtetit, për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin sepse është e vërtetë që duke vendosur një ministër të dedikuar për administratën publike dhe antikorrupsionin, ne kemi bërë një hap në drejtimin e duhur, por nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që ka ministre e ministre, ka ministra e ministra dhe në këtë drejtim unë jam shumë i kënaqur të dëgjoj edhe këtu këtë vlerësim dhe jam shumë dakord me këtë vlerësim edhe për faktin që e kam parë ministren që të udhëheqë një proces, ku ndër të tjera duhet bërë edhe sakrifica e leximit të mijëra faqeve të shkruara në europianisht që janë të tmerrshme për nga mungesa e çdo elementi poetik, por që duhen lexuar sepse ndryshe nuk arrin dot të kuptosh mekanizmat dhe nuk arrin dot pastaj të drejtosh të tjerët, që nuk ka nevojë që t’i torturosh që t’i lexojnë dhe ata, por ama, është shumë e rëndësishme që të ecet në të njëjtin drejtim dhe kjo sinergji e krijuar midis në nivelin e lartë të Komisionit Evropian, midis të gjithë atyre aktorëve në KE që negociojnë me Shqipërinë dhe pastaj me pjesë të caktuara që funksionojnë në drejtim të shtytjes së këtij procesi, siç është edhe SIGMA, natyrshëm që ne na ka dhënë avantazh.

Dua të shpreh dakordësinë time edhe me një element tjetër që në fakt besoj që Adea dhe të tjetër, mund ta dëshmojnë që është kështu si po them, unë personalisht jam i palumtur me mënyrën se si ne kemi ecur dhe me cilësinë që e kemi sot në talk-menagement në administratën publike dhe këtu kemi shumë punë për të bërë dhe ne do ta mirëpresim çdo lloj ndihme me dije, se si mund ta adresojmë këtë problematikë pasi jemi dhe në një fazë historike me gjithë procesin e reformës në drejtësi, me gjithë procesin e çlirimit të drejtësisë nga duart e politikës ku duhet të përballim bashkërisht edhe nevojën që proceset e punës në administratë, proceset e punës në të gjitha ato pjesë të funksionimit të qeverisjes ekzekutive që lidhen që me vendimmarrjen deri tek prokurimet, nuk janë procese te lehta për t’u administruar dhe nuk janë procese të lehta për t’u hetuar apo për t’u gjykuar dhe kështu ndodh që, për fat të keq, në tërësinë e gjithë punëve të mira që po bëhen në drejtim të luftës kundër korrupsioni të shohim edhe në tkurrje të administratës si rezultat i një ndjenje pasigurie që krijohet nga eksese të caktuara në këtë drejtim. Por, kjo është një problematikë që ne duhet ta adresojmë sa më shumë së bashku me Komisionin Europian, sa më shumë së bashku me SIGMA-n në këtë rast, nëse është  e mundur dhe me organizmat e tjerë.

Tjetra, ne kemi bërë shumë përpjekje për të lehtësuar qytetarët në raport me një administratë, e cila ka qenë dhe mbetet, jo këtu, por në të gjithë rajonin tonë, e përgatitur për t’iu përgjigjur qytetarëve ashtu siç përgjigjet administrate gjermane dhe në këtë aspekt besoj që edhe ne ballkanasit nuk jemi dhe aq vetëm sepse kemi dhe fqinj të tjerë që janë në Bashkimin Europian dhe nuk është se shkëlqejnë  në mënyrën sesi administrata u përgjigjet qytetarëve, por bekimi ynë në këtë rast është që jemi në kohën kur mund të përdorim teknologjinë dhe me digjitalizimin intensiv që kemi bërë të shërbimeve publike, sot jemi një vend lider në rajon dhe jemi ndër vendet e cilësuara në nivelin e parë, përsa i përket shërbimeve online edhe në Europë, pra me një grup vendesh që janë më përpara dhe 95% të shërbimeve i kemi online që do të thotë që, nga dita e parë deri më sot janë dhënë 47 milionë shërbime, në sensin ka pasur 47 milionë ndërveprime mes qytetarëve dhe administratës. 47 milionë që përndryshe do të kishin qenë 47 milionë vajtje në radhë, do kishin qenë 47 milionë pritje përpara një sporteli, do kishin qenë 47 milionë raste kur mund të hynte në mes bakshishi, ryshfeti, do kishin qenë 47 milionë mundësi që të të kthenin mbrapsht e të të thonin “Hajde një ditë tjetër sepse…” etj, etj dhe në këto 47 milionë, një pjesë e tyre janë ndërveprime mes qytetarëve shqiptarë jashtë Shqipërisë që pa shërbimet online nuk do të mund kurrë t’i merrnin këto shërbime pa ardhur vetë në Shqipëri për të bërë radhën, për të pritur shansin, e kështu me radhë.

Mirëpo, paralelisht me derregullimin, është shumë e vërtetë ajo që tha zoti Virant, që ne kemi në nivelin e legjislacionit primar, pra të ligjeve, ne jemi shumë të vëmendshëm dhe vlerësimet janë vërtetë të mirëseardhura sepse bëhet fjalë për një legjislacion që i adaptohet legjislacionit europian.

Në nivelin e dytë, në nivelin e akteve nënligjore, ne prodhojmë shumë dhe ky është një problem, prodhojmë shumë dhe kemi shumë mbivendosje dhe këtu jam shumë optimist për faktin se me modelin e Inteligjencës Artificiale që kemi krijuar për integrimin në Bashkimin Europian, duke i dhënë mundësi vetes që atë proces për të cilin vendet e tjera, Sllovenia apo Kroacia apo të tjerë më parë, kanë angazhuar një ushtri me përkthyes dhe një ushtri me juristë për të bërë drafte, ne mund ta bëjmë në 95% të punës me këtë model të Inteligjencës Artificiale dhe kjo është diçka që po ndodh aktualisht, pra, modeli është testuar me sukses dhe ka filluar të punojë.

Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë testimet për të bërë një radiografi të thellë të gjithë legjislacionit dhe të akteve nënligjore pastaj përsa i përket mbivendosjeve dhe duke pasur një skaner të plotë të gjitha mbivendosjeve në legjislacion ku ndodh jo rrallë që diçka që ta jep një ligj nuk ta jep një VKM, diçka që ta jep një VKM ta ndalon një ligj, diçka që në një ligj thuhet se të takon, në një ligj tjetër thuhet se nuk të takon, mund të pastrohen duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale.

Ky është një proces që ka nisur dhe unë besoj se në mandatin e katërt ne jo vetëm që nga njëra anë do të arrijmë objektivin dhe të jemi gati për anëtarësimin, por nga ana tjetër, do të pastrojmë të gjithë pjesën e barit të keq, po themi, në lëndinën e legjislacionit tonë.

Tjetra që dua ta mbyll, se u zgjata pak dhe nuk është karakteristikë për mua që të zgjatem, siç e dini, dua ta mbyll me Prokurimet Publike. Është absolutisht, për mua, një pikë ku mund të shihet progresi i jashtëzakonshëm që është bërë në aspektin e luftës kundër korrupsionit nga ana e modernizimit, jo nga ana e luftës direkte që është një çështje e drejtësisë, por nga ana e modernizimit sepse shumëkush, për fat të keq edhe shumë miq tanët ndërkombëtarë, janë përgjithësisht të anës perëndimore të botës tonë demokratike, besojnë se korrupsioni, që është një trashëgimi jo e lehtë e vendeve si i yni, ilaçin e tij ka “Kap, arresto, dëno dhe vazhdo”. Jo!

Kjo është vetëm njëra anë, por ana tjetër dhe në këndvështrimin tim, ajo më e vështira dhe më e rëndësishmja është modernizimi i gjithë sistemeve. Nëse nuk modernizohen sistemet, nuk ka shans që problematika e korrupsionit të zgjidhet vetëm me anën represive të shtetit. Duhet sistemet tona të qeverisjes, sistemet tona të administrimit të jenë të tilla që të mos e mundësojnë korrupsionin.

Gjermanët nuk janë nga natyra të pa-korruptueshëm, nuk e kanë në ADN që janë të ndershëm, por kanë një sistem shtetëror që e bën shumë të vështirë. E kam thënë me kohë shembullin shqiptar në Gjermani që, deri përpara disa vjetësh të paktën, ishte kjo që “Të hipi në makinë dhe të ndezim makinën pa vendosur rripin e sigurimit nuk ka”.

Në Shqipëri kishte punonjës të ambasadës gjermane që i jepnin makinës pa rrip sigurimi. Pra, nuk është personi, është sistemi dhe është gjithë mjedisi që e bën kështu ose ashtu. Po të marrësh punonjës të administratës shqiptare nga një strukturë që ka problematika me korrupsionin dhe ku ata të jenë të afektuar dhe t’i çosh në Gjermani nuk korruptohen. Më sillni mua disa gjermanë t’i çoj diku në një zyrë ku akoma ne e dimë që kemi problematika të tilla dhe do t’i shohim pas 40 ditësh, kur të kalojnë ato 40 ditët e tundimeve të Krishtit.

Kështu që, është shumë gjë e madhe për ne që SIGMA të vlerësojë Shqipërinë në krye për prokurimet publike. Unë e besoj shumë fort që ne kemi bërë një transformim të madh dhe këtë e tregojnë të gjitha llojet e të dhënave pavarësisht se, në këtë rast, perceptimi është krejt tjetër.

Mirëpo, tek perceptimi dua t’i them diçka mikut tonë të SIGMA-s, 80 % është prapë një shifër jo e keqe, pra 80% në Shqipëri thonë se “Këtu është korrupsion etj” sepse në Greqi janë nja 96% që e thonë, në bazë të EuroBarometrit, në Portugali janë nja 92%. Nuk e di sa vende të BE-së ishin me perceptimin mbi 80%, që natyrisht është çmenduri por në këtë kohë kur shëndeti mendor i përgjithshëm është shumë i kërcënuar nga çmenduria e rrjeteve sociale, çdo gjë mund të dëgjohet dhe përgjithësisht, ato që janë më të pabesueshmet bëhen edhe më tërheqëse dhe përsëriten më shpesh.

Siç thoshte dikush që, ndjesë që po e përmend emrin këtu, që ishte ministri i propagandës së Hitlerit “Nëse do ta gënjesh një popull, bëja gënjeshtrën sa më të madhe dhe përsëritja sa më shpesh”.

Kështu funksionoi asokohe për të ndërtuar pastaj figurën djallëzore të hebrenjve etj.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Dua thjesht të them që edhe në prokurimet publike ne nuk jemi absolutisht të kënaqur. Jemi duke punuar për një model të Inteligjencës Artificiale dhe aty, që edhe tek prokurimet publike, si tek shërbimet publike ne të kemi në një masë shumë të madhe instrumentin teknologjik që bën procesin.

Kjo do të bëjë që prokurimet të jenë shumë herë më tepër transparente, të jenë shumë më të shpejta, të krijojnë shumë më tepër mundësi për punonjësit e administratës që të merren me çështjet e tjera sepse vetëm të numërosh sa komisione prokurimesh ngrihen në Shqipëri dhe sa punonjës në të gjitha nivelet futen nëpër komisione prokurimi, janë një ushtri e tërë, me dhjetëra e mijëra njerëz, që normalisht nuk janë as të detyruar e as mund t’ia kërkosh që të dinë çdo gjë për sesi bëhet një proces prokurimi. Ndërkohë që me sistemin që po ndërtojmë, në një periudhë kohe të arsyeshme do mund të bëjmë një hap të jashtëzakonshëm përpara. Po punojmë me Microsoft në mënyrë intensive. Kemi siguruar që të drejtën e autorit do ta ketë qeveria shqiptare. Kështu që, pasi ta mbarojmë edhe do ia shesim atyre që duan të përmirësojnë sistemet e prokurimit edhe ndonjë vendi të Bashkimit Europian po ta kërkojë, do ia japim me shumë kënaqësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA