Pas stuhisë së reagimeve që shkaktoi njoftimi i ngrirjes së funksioneve të USAID-it, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio sqaroi arsyet e lëvizjes që ngriti shumë pikëpyetje.
Shefi i diplomacisë amerikane, i cili e ka marrë tashmë vetë rolin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, teksa është duke u shqyrtuar mundësia që kjo agjenci të riorganizohet, rrëfeu se në fakt, zhgënjimi i tij me USAID daton që nga koha kur ishte në Kongres.
Kjo është një agjenci që nuk ka aspak llogaridhënie. Ajo duhet t`i përgjigjet direktivave të politikave të Departamentit të Shtetit dhe refuzon ta bëjë këtë, nënvizoi Rubio.
“E thashë shumë qartë që gjatë seancës time të konfirmimit, se çdo dollar që shpenzojmë dhe çdo program që financojmë do të jetë në përputhje me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Dhe USAID-i vazhdimisht e ka injoruar këtë dhe ka vendosur që të jetë një organizatë globale bamirësie, e ndarë nga interesi kombëtar. Këta janë dollarë të taksapaguesve, dhe kështu unë jam shumë i shqetësuar nga këto njoftime se ata nuk kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë me njerëz që po bëjnë pyetje të thjeshta se çfarë bën ky program? Kush i merr paratë? Kush janë kontraktorët tanë? Kush financohet? Një lloj i tillë mosbindjeje e bën të pamundur kryerjen e një lloji rishikimi të pjekur dhe serioz, që mendoj se duhet ta ketë ndihma për vendet e tjera.
USAID-i nuk është një entitet i pavarur joqeveritar. Është një entitet që shpenzon dollarët e taksapaguesve dhe duhet t’i shpenzojë, siç thotë statuti, në përputhje me direktivat e politikave që ata marrin nga Sekretari i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Presidenti”, shprehet Rubio.
USAID-i u krijuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë nga ish-Presidenti John F. Kennedy, i cili dëshironte një mënyrë më efikase për t’iu kundërvënë ndikimit sovjetik në skenën ndërkombëtare, nëpërmjet ndihmave për vendet e tjera.
Top Channel