Sekretari Rubio përfundon vizitën në Panama, përqendruar tek ndikimi kinez dhe imigrimi

03/02/2025 20:49

Sekretari amerikan i Shtetit mbylli vizitën e tij në Panama të hënën, ku ishte i pranishëm në riatdhesimin e 43 imigrantëve që ishin nisur drejt Shteteve të Bashkuara duke përdorur Panamanë si vend tranzit.

Në ditën e dytë dhe të fundit në Panama, pjesë e vizitës së planifikuar në pesë shtete të Amerikës Qendrore, Sekretari Rubio u përqendrua nga Kanali i Panamasë dhe ndikimi i Kinës në çështjen të cilës Presidenti Trump po i jep rëndësinë kryesore: imigrimit.

Avioni po kthente 32 burra dhe 11 gra në Kolumbi pasi kishin kaluar në Luginën Darien dhe ishin ndalur në Panama. Disa nga imigrantët hynë në aeroplan para se të vinte Sekretari Rubio.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se dëbime të tilla dërgojnë mesazhin e fuqishëm të parandalimit dhe se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Panamasë ndihmë financiare në vlerë prej 2.7 milionë dollarësh për aeroplanë dhe bileta.

“Migrimi në masë është njëra prej tragjedive më të mëdha të epokës moderne”, deklaroi Rubio. “Ka ndikim në tërë botën. E dimë që shumë nga njerëzit që e marrin rrugën e migrimit në masë janë shpesh viktima ose viktimizohen në rrugë e sipër dhe kjo nuk është në të mirën e askujt”.

Riatdhesimi i së hënës erdhi ndërkohë që Presidenti Trump po kërcënon se do t’i ndëshkojë vendet që nuk i pranojnë fluturimet e riatdhesimit të shtetasve të tyre nga Shtetet e Bashkuara. Ai ndëshkoi me dënime Kolumbinë për një kohë të shkurtër gjatë javës së kaluar pasi ky shtet refuzoi të pranojë dy fluturime. Panamaja është treguar më bashkëpunuese dhe ka lejuar fluturime nga të dëbuarit e shteteve të treta që të ulen në hapësirën e saj dhe ka kthyer pas imigrantë para se ata të arrinin në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino e konfirmoi këtë qëndrim dhe të dielën ra dakord të tërhiqet nga nisma kineze ‘Një Brez një Rrugë’ pasi Sekretari Rubio kërkoi nga ai uljen e rolit të Kinës në veprimtarinë në kanal ose të përballet me hakmarrjen e Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët e imigracionit në Panama thanë se ata kanë kryer 44 operacione dëbimi të 2 mijë imigrantëve, që kur u nënshkrua marrëveshja për ndihmë financiare me Shtetet e Bashkuara në korrikun e vitit të kaluar. Shumica e të dëbuarve ishin kolumbianë dhe nga Ekuadori.

Muajin e fundit Panamaja njoftoi se numri i imigrantëve që po kalonin nga Kolumbia përmes Luginës Darien ishte pakësuar më shumë se 90 për qind në janar, krahasuar me një muaj më herët. Administrata e Presidentit Mulino e lidh rënien e numrit të imigrantëve me përpjekjet e ndërmarra për të dërguar imigrantët përmes pikave të kufizuara kufitare dhe patrullimeve në luginën e rrethuar nga xhungla.

Presidenti Mulino tha të dielën se i kishte ofruar Sekretarit Rubio qasje në pistën e fluturimit në Darien që t’u shërbejë Shteteve të Bashkuara si urë për të dëbuar imigrantët nga vendet e tjera.

Por shtetasit e Venezuelës përbëjnë shumicën e imigrantëve që kaluan nëpër Luginën Darien vitet e fundit dhe Venezuela nuk po pranon fluturimet as nga Panamaja.

Sekretari Rubio e theksoi bashkëpunimin e Panamasë të hënën, duke vënë në pah se numrat e imigrantëve kanë rënë në mënyrë dramatike.

“Kjo është mënyrë efektive për të ndalur valën e imigrimit të jashtëligjshëm, të imigrimit në masë, i cili është shkatërrues dhe i paqëndrueshëm”, tha Rubio. “Do të ishte e pamundur që kjo të arrihet pa një partneritet të fuqishëm të cilin e kemi këtu me miqtë dhe aleatët tanë në Panama. Do të vazhdojmë”.

Ai po ashtu i bëri jehonë një ndjenje që është e zakonshme në rajon por që zakonisht nuk thuhet nga zyrtarët amerikanë: “Ne gjithashtu e kuptojmë në Shtetet e Bashkuara që shumica e njerëzve që vinë këtu synojnë të shkojnë në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ai. “Prandaj, deri në një pikë, kufiri ynë nuk fillon në Teksas apo në Meksikë. Fillon shumë më larg”.

Më pas, Sekretari Rubio u nis për vizitë në El Salvador, ku imigrimi do të jetë tema kryesore në agjendën e tij. Ai po ashtu do të vizitojë Kosta Rikën, Guatemalën dhe Republikën Dominikane.

Vizita e tij vjen në një kohë kur ndihmat amerikane për shtetet e huaja janë ngrirë dhe udhëzimet për të mos vazhduar punën kanë mbyllur programe të financuara nga Shtetet e Bashkuara për të parandaluar imigrimin e jashtëligjshëm dhe kriminalitetin në shtetet e Amerikës Qendrore. Departamenti i Shtetit tha të dielën se Rubio e ka autorizuar vazhdimin e disa programeve kritike në shtetet të cilat ai po viziton, por nuk u dhanë detaje të tjera./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA