“Yjet Shqiptarë të Diasporës” nis këtë të diel në ekranin e Top Channel! Ilir Shaqiri zbulon detajet në podcast-in e Kryeministrit: Kemi pasur 600 konkurrentë

01/02/2025 08:45

“Yjet Shqiptarë të Diasporës”, talent show që ka si qëllim zbulimin e talenteve të rinj shqiptarë ose me origjinë shqiptare, nis transmetimin këtë të diel në ekranin e Top Channel.

Moderatori Ilir Shaqiri, i ftuar në podcast-in “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, u shpreh se ka pasur qindra kërkesa, ndërsa zbuloi detaje nga spektakli, ku gjysmëfinalja dhe finalja do të bëjë bashkë konkurrentët në Top Channel.

Shaqiri: Tani po merrem me super projektin Yjet Shqiptarë të Diasporës. Ka lindur një vit më parë. Është një projekt që e kam menduar për shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit. Për momentin jemi fokusuar te Evropa, kemi bërë mbi 12 qytete, është një “Tu si que vales”. Skena është jotja dhe mund të tregosh atë që je dhe atë që ke.

Rama: Kanë ardhur ka kërkesa?

Shaqiri: Vetëm Italia kishte 180 kërkesa. Bëmë Romën, u detyruam të shkojmë dhe në Milano se kishte shumë kërkesa. Kem prekur rreth 600 konkurrentë, që janë shfaqur për t’u bërë pjesë e gjysmëfinales dhe finales që do të jepet në Top Channel.

Rama: Ka nisur të transmetohet?

Shaqiri: Transmetimi nis në 2 shkurt.

Rama: Pas kësaj, do të dalin dhe të tjerë që do thonë jam edhe unë, jam dhe unë…

Shaqiri: Kemi bërë 16 puntata, që do të transmetohen çdo të diel, në orën 20:10. Jam i bindur që kërkesa do të ketë edhe më shumë kur të ndjekin emisionin në ekran. Për t’u bërë pjesë duhet ose të kesh lindur në Shqipëri dhe të kesh emigruar jashtë shtetit, ose të kesh një nga prindërit shqiptar. Pra, të kesh ADN shqiptare. Mund edhe të mos flasësh shqip

Rama: Si e sheh tani si spektator dhe jo si protagonist trupën e baletit sot, në Opera, në shkollën e baletit?

Shaqiri: Është një pjesë që ka vuajtur pasojat e një luftë shumë të errët. Është në rritje, por ka shumë punë për të bërë. Duhet pastrim i gjakut të vjetër. Shoh që ëështë rritur niveli. Janë krijuar parametrat që njerëzit të investojnë psikologjikisht te vetvetja për të bërë diçka, sikurse unë do të doja të bëja një Akademi Arti, t’i jepja një shpresë brezit të ri. Duhet t’u krijosh kushte njerëzve që të ëndërrojnë aty ku janë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA