Nëntë persona, janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Përgjithshme, tetë prej të cilëve policë të Rinasit, për veprat penale “Korrupsion aktiv”, “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ata thuhet se ndihmonin emigrantët e plaigjshëm të kalonin në BE, në këmbim të një shume parashë, që varionte nga 50 në 500 euro.
Në njoftimin e saj, Prokuroria ka zbuluar dhe skemën e mashtrimit:
E tërë skema korruptive u zbardh pas zbërthimit të aparatit telefonik të shtetasit E.S. i ndaluar me më pare me lëndë narkotike. Nga këqyrja e aparatit telefonik të këtij shtetasi, u gjetën biseda me punonjës të policisë për verifikimet në sistemin TIMS në Rinas.
Nga hetimet e Prokurorisë Tiranë, rezultoi se shtetasi E.S., ka në pronësi një agjenci udhëtimi, me objekt veprimtarie ndër të tjera edhe “agjenci për shitje biletash”. Me qëllim rritjen e përfitimeve të kompanisë së tij, ky shtetas rekrutonte dhe siguronte pasagjerë për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, duke marrë përsipër kundrejt pagesave monetare, ekstra vlerës së biletës së udhëtimit, edhe kalimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë të personave të cilëve për arsye të ndryshme nuk mund të udhëtonin.
Për këtë qëllim ai krijoi marrëdhënie me punonjësin e policisë të kontrollit kufitar, shtetasin B.T të cilit kundrejt premtimit të shpërblimit në vlera monetare, i kërkonte kalimin e tyre. Ky punonjës pas kërkesave dhe porosive të ndryshme që merrte e udhëzonte shtetasin E.S. se tek cila kabinë duhet paraqiteshin pasagjerët, vlerën monetare në këmbim, si dhe mënyrën e dorëzimit të tyre, duke marrë përsipër edhe vendosjen e vulave fiktive në dokumentet e tyre të udhëtimit, me qëllim shmangien e prapësimeve nga vendi që kishin si destinacion.
Për rastet kur ai nuk ishte në shërbim, këto pasagjerë ia kalonte për përpunim kolegëve të tij, me detyrë po punonjës të policisë kufitare. Në lidhje me rastet të cilat kishin problematika të tjera, në varësi të tyre përcaktoheshin edhe vlerat monetare në këmbim të lejimit të kalimit dhe vlerat varionin nga 50-500 euro.
Nga hetimet, rezultoi se punonjësi i policisë, shtetasi B.T., për periudhën Prill 2023 – Mars 2024, lejoi daljen nga territori i RSH për 55 shtetas në shkelje të ligjit me ditë qëndrimi në konsumuara në zonën Shengen dhe 10 shtetas të mitur, të papajisur me prokurë nga prindërit. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe inspektorët e tjerë të akuzuar, shtetasit S.Xh, E.M., A.D., Y.P., R.Sh., E.A., dhe A.H, të cilët për të njëjtën periudhë kanë lejuar kalimin e shtetasve të ndryshëm me ditë qëndrimi në konsumuara në zonën Shengen apo që ishin deportuar nga vendet e BE si dhe të mitur pa prokurën e prindërve.
Në përfundim të hetimeve rezultoi i provuar gjithë mekanizmi i kësaj veprimtarie të kundraligjshme dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë dërgon në gjyq të pandehurit:
E.S. për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244/1 i K.Penal;
B.T. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 259/1 dhe 248 të K.Penal;
S.Xh. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
E.M. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
A.D. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Y.P. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
R.Sh. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
E.A. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe
A.H. me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Top Channel