11 Presidentët e Shqipërisë! Libri i Roland Qafokut analizon Krerët e Shtetit në 100 vite

01/02/2025 19:57

100 vite më parë, në 31 janar 1925, Ahmet Zogu mori detyrën e Presidentit të Republikës, që ishte shpallur pak ditë më parë.

Prej atij momenti, Shqipëria ka parë 11 krerë shtetesh, që kanë shënjuar shtet-bërjen përballë shumë ngjarjeve historike, që gazetari dhe analisti Roland Qafoku i sjell të përmbledhura në një libër.

Nga njeriu që bëri shtetin, presidenti që vrau veten, antikomunisti që u bë autokrat te krerët e krizave, stuhive dhe qetësisë, gazetari zbulon disa detaje nga jetëshkrimi i tyre.

Rasti i Omer Nishanit, Zonja e Parë, që në fakt s’e kishte këtë status, ishte austriake dhe shumë pak veta e dinë këtë. Ose Haxhi Lleshi që nuk kishte diplomë, ishte i paarsimuar. Interesante është emërtimi për Ramiz Alinë, që e kam quajtur diktatori i fundit dhe demokrati i parë. Bëmë dhe një përcaktim tjetër për Ahmet Zogun, që është themeluesi i Presidencës dhe varrmihësi i saj. Ai varrosi Presidencën dhe ngriti një mbretëri”, tregoi autori i librit.

Në promvimin e botimit që mbështetet nga Akademia e Studimeve Shqiptare në UET, të pranishëm ishin protagonistë të veprës dhe familjarë të tyre.

I takon Presidentit të flasë në emër të të gjithëve. Këtu ndodhin paradokse, nuk mund të flasë një kryeministër në emër të të gjithëve. Dëshiroj t’ju falenderoj që keni sjellë dhe shumë momente që unë i kisha harruar. Është vetë dinamika e jetës politike, jetës institucionale që të bën që shpesh të jetosh momentin”, u shpreh ish-Presidenti Bamir Topi.

Është ndjesi e veçantë që kemi mundësi të reflektojmë, të kujtojmë këtë institucion që kemi trashëguar ndër vite, me shumë sakrificë e luftë, për një Shqipëri të pavarur, me një vizion krejtësisht evropian”, tha Princ Leka.

Historia e 11 Presidentëve shkon në kufijtë e të jashtëzakonshmes. Për autorin, ata kanë ndikuar në ngjarjet politike dhe jo thjesht e kanë shkruar historinë, ata ishin vetë historia. 11 presidentët është një reflektim mbi institucionet që kemi trashëguar përmes sakrificave dhe luftërave, drejt një të ardhmeje europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA