Pasi Këshilli Drejtues i RTSH vendosi pezullimin e garës për drejtorin e RTSH pas votimit të paligjshëm, ka reaguar edhe drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato.
Në një reagim në platformën sociale X, ai ka rishpërndarë deklaratën e bërë më herët sot nga prezenca e OSBE në Shqipëri, e cila bëri thirrje për një garë transparente dhe të bazuar në meritë.
Gonzato po ashtu ka kërkuar që të bëhet transparencë.
“Vendimi i duhur. Në një kohë kur ne hapim platformën për promovimin e lirisë së shprehjes në Shqipëri përmes dialogut të hapur, ne duhet të ndërtojmë besim dhe të sigurojmë transparencë”, deklaron ai.
Right decision. At a time when we kick off the platform for promoting freedom of expression in #Albania 🇦🇱 through open dialogue, we need to build trust and ensure transparency. https://t.co/eUqFOoeyBm
— Silvio Gonzato (@EUAmbAL) January 31, 2025
Kujtojmë se pas thirrjes nga Komisioni Parlamentar i Medias, Këshilli Drejtues i RTSH-së pezulloi deri të hënën vendimin për të skualifikuar nga gara tetë nga 10 kandidatët për drejtues të televizionit publik.
Në një mbledhje urgjente te zhvilluar një ditë më parë nën drejtimin e nënkryetarit Gëzim Podgorica, me nëntë vota pro është vendosur që e gjithë vendimmarrja të vijojë pasi të zhvillohet një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias, e paralajmëruar për në fillim të javës së ardhshme.
Në të njëjtën kohë është marrë vendim që të shtyhet edhe mbledhja e parashikuar për nesër nga Këshilli Drejtues, i cili do të zhvillonte seancë dëgjimore me dy kandidatët e mbetur në garë.
Vendimmarrja e pak ditëve më parë ku përmes një votimi të paligjshëm, shumica e kandidatëve, mes tyre edhe emra të njohur të gazetarisë si Eni Vasili, u lanë jashtë garës, u kritikua ashpër nga Kuvendi ku në një gjuhë të përbashkët PD dhe PS paralajmëruan masa drastike për Këshillin Drejtues nëse nuk do ta rikthente garën në televizionin publik.
I ndodhur në këtë situatë Këshilli me vendimmarrjen e fundit i ka dhënë kohë vetes deri javën tjetër për të parë më pas edhe se si do të vijojë procedura.
Top Channel