Kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë tre vjet më parë, Viktori ishte gati të vdiste për vendin e tij.
Ai doli vullnetar për të mbrojtur Kievin kur u shfaqën tanket e armikut dhe iu bashkua forcave të armatosura të Ukrainës. Në pranverën e vitit 2023 ai po luftonte në fshatin Tonenke, pranë qytetit lindor Avdiivka .
“Kur mbërrita, isha super i motivuar. Nëse do të ishte e nevojshme, do të jepja jetën time”, kujton ai.
Megjithatë, gradualisht ai u zhgënjye. Beteja ishte e furishme. “Rusët shkatërruan pozicionet tona në tokë”, tha ai. Teksa po mbronte një ndërtesë të rrënuar, një panel i ra mbi supe. Pasi mori injeksione për të zvogëluar dhimbjen, atij iu tha të kthehej në front. “E kuptova që nuk jam askush. Vetëm një numër”, shprehet ai.
Në maj të po atij viti, Viktor la pozicionin e tij për të kërkuar trajtim të mëtejshëm mjekësor. Ai nuk u kthye më. Viktor është një nga mijëra ushtarët ukrainas që kanë braktisur njësitë e tyre. Shifra e saktë është një sekret ushtarak, por zyrtarët pranojnë se numri është i madh. Ata thonë se është e kuptueshme, kur trupat e lodhur kanë shërbyer me muaj pa pushimin e duhur.
Çështja e dezertimit është bërë kryefjalë në Ukrainë. Javën e kaluar qeveria nisi një hetim për Brigadën 155. Pesëdhjetë e gjashtë ushtarë u zhdukën gjatë stërvitjes në Francë. Qindra të tjerë po ashtu thuhet se janë të zhdukur. Komandanti i njësisë, Dmytro Riumshyn, u arrestua. Ai mund të dënohet me 10 vjet burg për moskryerje të detyrave të tij zyrtare dhe denoncim për mungesat e paautorizuara.
Pas tre vitesh luftë, Ukrainës i mungojnë dëshpërimisht ushtarë, veçanërisht këmbësoria. Kjo e ka bërë më të lehtë për ushtrinë ruse përparimin në lindje. Ndërkohë, brigada të tjera janë ndërtuar nga e para dhe performanca e tyre deri më tani ka qenë e dobët.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kohët e fundit urdhëroi një ndryshim në politikë, duke futur edhe rekrutët pa papërvojë në batalionet ekzistuese.
Dikur një snajperist i stërvitur, tani Viktori është kthyer dhe punon në një garazh në Ukrainën Perëndimore. Për BBC, ai tregon se tani të gjithë janë të lodhur, humori ka ndryshuar.
Një tjetër dezertor, Oleksii, tha se ai mori pjesë në ofensivat e Ukrainës në rajonet jugore të Mykolaiv dhe Kherson. Ai e përshkroi betejën si kaotike, me plumba që fluturonin dhe mbështetje të pamjaftueshme artilerie. Gjatë dimrit të vitit 2022 pati një grindje me një komandant të ri, aplikoi pa sukses për një transferim dhe u lëndua. “Arrita në pikën ku nuk mundesha më, kështu që vendosa të shkoja diku, ku askush të mos më gjejë dot”, thotë ai.
Top Channel