Inceneratori i Tiranës, GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për Lefter Kokën dhe shtatë të tjerë

31/01/2025 14:47
Lefter Koka

Nis shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.

Gjykata pranoi kërkesën e 8 të pandehurve për zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimi të shkurtuar, konkretisht për Lefter Kokën, Bledar Karolin, Erjon Muratajn, Taulant Tushën, Namik Simixhiun, Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun dhe Jetmir Llapajn.

Ndërsa të pandehurit e tjerë Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola kërkuan zhvillimin  e procesit me procedurën e gjykimit të zakonshëm dhe ndarjen e çështjen dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me juridiksion të përgjithshëm, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

SPAK kundërshton ndarjen e çështjes dhe dërgimin e akteve në një gjykatë të juridiksionit të zakonshëm. Gjykata vendos veçimin e çështjes për shkak se këta të pandehur kanë kërkuar që të gjykohen me procedurën e gjykimi të zakonshëm.

12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.  Gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publik kanë bashkëpunuar  me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.

Në seancën e radhës, do të jepet pretenca për 8 të pandehurit. SPAK do të relatojë konkluzionet përfundimtare ne datë 7 shkurt ora 13:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA