Seanca paraprake për kryedemokratin Sali Berisha dhe 4 të pandehurit e tjerë ka nisur këtë mëngjes në Gjykatën e Posaçme.
Sot do të vijojnë sërish të japin argumentet e tyre avokatët e Jamambër Malltëzit, që ndodhet nën arrest shtëpie, më pas do të vijohet me mbrojtjen e biznesmenit Fatmir Beltashit, dhe dy të akuzuarve të tjerë, sikurse raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Po ashtu, argumentet e tyre do të lexohen edhe nga avokatët e dy shoqërive Homeplan shkp dhe Kontakt shpk. Kjo seancë pritet të zgjasë deri në orën 16:00 kur të përfundojë orari zyrtar. Ndërkohë, të pandehurit Berisha dhe Malltezi, nuk janë të pranishëm në seancë, por përfaqësohen nga avokatët e tyre mbrojtës.
Berisha, Malltezi dhe të akuzuarit e tjerë janë në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Në fund të viti të kaluar, Gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, gjithsesi, paralajmëroi se nëse Berisha nuk respekton këtë masë, organi i akuzës mund të kërkojë një masë sigurimi më të rëndë.
Top Channel